Ballina Editorial Kolumbia dhe Shqipëria dy realitete të pakrahasueshme

Kolumbia dhe Shqipëria dy realitete të pakrahasueshme

Armand MAHO

Në vitin 1984 Rodrigue Lara Bonilla, aso kohe ministër i Drejtësisë kolumbiane, do të denonconte në kongres një foto ku tregohej Pablo Escobar i arrestuar për trafik droge. Ishte e vetmja provë që tregonte se ish-kontrabandisti i cigareve në Medellin kishte ndërruar aktivitet dhe kish ngritur një perandori ku fitonte rreth 1.9 miliardë dollarë në vit. Në atë vit Pablo Escobar mund të thuhet se ishte njeriu më i fuqishëm i Kolumbisë dhe përdori të gjitha makinacionet për t’u zgjedhur deputet, me qëllim kundërshtimin e ligjit të ekstradimit në Shtetet e Bashkuara të trafikantëve të drogës dhe jo vetëm. Kjo solli anulim të vizës së Escobar-it nga ana e ambasadës amerikane dhe dorëheqje të tij nga Parlamenti.
Denoncimin Bonilla do e paguante me jetë dhe pikërisht në ditën kur do të udhëtonte drejt Çekisë për të marrë detyrën si ambasador, vendim që qeveria e mori për ta mbrojtur nga ndonjë sulm eventual të perandorit të drogës. Por Escobar nuk u mjaftua me kaq. Luftës së presidentit Bentacur, ai do i përgjigjej me të njëjtën monedhë… ekzekutime policësh në postblloqe, vendosje bombash e të tjera si këto prodhuan rreth 3000 viktima në 5 vjet. Ndërkohë që Escobar prej kohësh kish marrë aureolën e bamirësit. Me firmën e tij u ndërtuan rreth 2600 apartamente në Medellin, ndërsa qindra mijëra të tjerë merrnin pension dhe rroga në borderotë e kartelit.
Përgjatë viteve 1988-1989 ai do të vriste 3 nga 5 kandidatët për president, mes tyre dhe Galanin një njeri që gëzonte goxha popullaritet. Atentatit i shpëtoi dhe presidenti Gaviria, i cili u lajmërua disa minuta përpara se të hipte në avion. Në këtë atentat vdiqën 107 persona. Do të ishte ky president më pas, i cili me gjithë presionet dhe rrezikun e një lufte civile, do të sillte dhe asgjësimin e Escobar-it në vitin 1993.
Por cili ishte roli i ambasadës amerikane në Kolumbi në luftën kundër trafikantit më të madh në histori? Në fillim të viteve 1980 SHBA-të me gjithë informacionet për trafikun s’para e vunë shumë ujin në zjarr. Administrata e Reagan ishte më e interesuar në luftën kundër komunizmit që zhvillonte në Amerikën Latine, se sa për trafikun e narkotikëve. Ishte kjo arsyeja që Escobar arriti të fuste në Majemi 15 tonë kokainë në një ditë të vetme. USA u angazhua në këtë luftë vetëm kur pa se miliardat e saj po i dilnin nga vendi. Atëherë ngriti një seksion të veçantë të DEA-s në Bogota, e cila iu bashkua forcave policore kolumbiane.
Megjithatë frenimi ishte shumë i vështirë, pasi veç Escobar-it operonte karteli i Calit, i Kartagjenës etj. Përpos kësaj qeveria kolumbiane duhej të përballej dhe me forcat komuniste të Farc, të cilat në vitin 1986 rrethuan Pallatin e Drejtësisë dhe vranë gjysmën e gjykatësve, si dhe zhdukën të gjithë dokumentacionin e kartelit të Escobar dhe jo vetëm.
E bëra këtë panoramë të përgjithshme duke lënë jashtë detaje të tjera të rëndësishme si vrasja e Kolonelit Martinez, njeriu i paepur në luftën ndaj Escobar-it, për të kuptuar gjendjen e Kolumbisë në atë kohë e për të shpjeguar se sa gabim është ta krahasosh Shqipërinë me atë vend. Është e vërtetë që laboratorët e karteleve ndodheshin gjithkund në xhungla apo edhe në zemër të qyteteve, por të zgjedhurit e atjeshëm nuk u bënë palë me krimin si këtu. Synimet e Pablo Escobar për të hyrë në politikë sollën edhe fundin e tij. Ishte e njëjta forcë politike që i hapi rrugën, i njëjti ministër Drejtësie e president që çuan më pas në vrasjen e tij. Natyrisht me një kosto të lartë. Por ai vend atje gjeti përherë forcën për të luftuar narkotrafikantët, pavarësisht se u vranë 300 policë, mes tyre dhe Hugo Martinez, të cilin Escobar e vrau me dorën e tij për ta bërë shembull. Megjithatë sërish kishte të tjerë që angazhoheshin në forcat speciale të Search Bloc, njësi speciale e ngritur vetëm për Escobar-in dhe kartelet. Njerëzit e thjeshtë të Kolumbisë u ngritën në protesta kundër terrorit mafioz të ushtruar. Në vitet që pasuan asnjë nga kartelet nuk u përfshi në politikë e nuk u emërua përfaqësues i popullit, pasi Pablo Escobar ishte shembulli më i mirë se çfarë të ndodhte. Të zgjedhurit kolumbianë treguan integritet duke e mbajtur të pastër tempullin parlamentar, duke i rezistuar presioneve dhe parasë së drogës që kish hyrë në çdo qelizë.
Ndërsa Shqipëria nuk është Kolumbi. Është një lloj hibridi i padëgjuar më parë, ku droga jo vetëm ka kapur çdo qelizë të këtij vendi, por politika është bërë mbrojtësja e trafikantëve të çdo lloji. Trafikantët këtu tek ne, jo vetëm janë njerëzit më të pashqetësuar, por janë ata që diktojnë ligjet, votojnë Vettingun, zgjidhen në majat e pushtetit lokal, injorojnë çdo vendim gjyqi që pasqyron qartë të kaluarën e tyre, mbjellin çdo pëllëmbë toke me kanabis dhe më pas me ato para blejnë votat duke shfrytëzuar varfërinë e njerëzve.
Narkotrafikantët sot janë në krye të policisë, doganave, transporteve, kudo ku gjenden linjat e dërgimit të drogës. Vullneti për t’i luftuar është në nivelin zero, dhe jo vetëm kaq, të pangopur me fitimet e narkotrafikut, tashmë janë ata që bëjnë sekserin thuajse për çdo tender, për çdo koncesion, në emër të ligjit duke marrë çdo qindarkë nga xhepat e qytetarëve.
Kjo ka sjellë një situatë dëshpëruese, ku çdo njeri mendon një mënyrë për të ikur jashtë vendit. E si mund të punosh në një vend ku nderohet krimi dhe luftohet virtyti? Të jesh i ndershëm është turp, të jesh i varfër duhet të paguash…. Kolumbia nuk ishte kështu. Me Shqipërinë e Rilindjes asgjë nuk krahasohet!

Exit mobile version