Kapet në Itali gomonia me 3.5 kuintalë drogë nga Shqipëria

Rreth 350 kg kanabis sativa është bllokuar dje nga policia italiane në Bari. Droga është kapur, ndërsa po transportohej me një furgon. Sipas agjencisë italiane të lajmeve, “Ansa” droga ishte futur në shtetin fqinj me anë të një gomone me dy motorë të fuqishëm. Lënda narkotike, me vlerë rreth 1 milion euro ishte “Made in Albania”. Trafikantët, pasi kishin zbarkuar drogën me gomone në brigjet e Puglia, e kishin ngarkuar atë në një furgon.
Policia italiane thotë se, drejtuesi i furgonit ka pikasur efektivët dhe ka mundur të largohej. Si provë, përveç drogës policia ka sekuestruar edhe furgonin e gomonen. 350 kg kanabis sativa do të hidhej në treg gjatë festave, kanë thënë hetuesit.
Ky operacion nisi pas identifikimit të një furgoni që lëvizte me shpejtësi të madhe në rrugët përgjatë bregdetit. Menjëherë policia italiane është vënë në ndjekje të tij. Drejtuesi i furgonit sapo ka nuhatur patrullën e policisë ka braktisur automjetin, duke u larguar në këmbë e duke humbur gjurmët i favorizuar nga errësira e natës.
Në furgonin e braktisur policia italiane ka gjetur 40 pako marijuanë me peshë totale prej 350 kg.
Kërkimet e mëtejshme të Financës italiane çuan në gjetjen e një gomone me dy motora të fuqishëm prej 300 kuaj fuqi jashtë bordit, e braktisur në bregdetin mes komunës së Polignanos e Monopolit. Gomonia ishte përdorur nga skafistët për të trafikuar drejt brigjeve italiane sasinë e drogës së sekuestruar në furgon. Sipas policisë italiane mjeti lundrues ishte braktisur në breg të detit për shkak të kushteve të këqija të motit. Policia italiane informon se vazhdon hetimet për të zbardhur identitetin e trafikantëve.
Ndërkohë, një shtetas italian është vënë në pranga nga Policia e Shkodrës, i dyshuar për trafik droge. Lorenzo Pratti u arrestua në vijën e dytë të pikës kufitare të Muriqanit. Efektivet e policisë kishin dyshime dhe pas kontrollit të ushtruar në mjetin me të cilin udhëtonte policia gjeti 14,5 kilogramë kanabis. 24-vjeçari e kishte fshehur drogën në pjesën e sendileve dhe gomat e para të automjetit. Mbi 24-vjeçarin rëndon akuza e trafikut ndërkombëtare të lëndëve narkotike dhe rrezikon burgim deri në 7 vite.