Draxler kalon te PSG

Është Julian Draxler goditja e madhe e Paris Saint Germain në merkaton e janarit. Kampionët e Francës kanë arritur marrëveshjen me drejtuesit e Wolfsburgut për kalimin e 23-vjeçarit gjerman në Parc Des Princes gjatë merkatos së janarit. Lajmi është i konfrimuar nga një prej drejtuesve të Wolfsburgut, i cili në një intervistë për gazetën gjermane “Kicker” ka zbuluar edhe disa nga detajet e marrëveshjes. “Pas bisedimeve intensive e kemi mbyllur praktikisht akordin, kemi arritur marrëveshjen për transferimin e lojtarit në Paris kanë mbetur vetëm formalitetet e fundit për t’u zgjidhur”, deklaroi drejtuesi i ujqërve, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. Nga shitja e mesfushorit me tipare sulmuese, Wolfsburgu do të përfitojë një shifër të përafërt nga 40 deri në 45 milionë euro. Përfundon në këtë mënyrë pas vetëm 1 sezoni e gjysmë aventura e Julian Draxler te skuadra nga Wolkswagen Arena me lojtarin që tashmë do të jetë pjesë e kampionëve të Francës.