Tubat e TAP rrisin me 53 për qind importet nga Gjermania

Tregtia me Gjermaninë ka shënuar rritje të ndjeshme në drejtim të importeve. Vlera e tyre në fund të 11-mujorit arriti në 49 miliardë lekë, me një rritje 53% në krahasim me një periudhë të një viti më parë. Sipas INSTAT, grupi që ka shënuar rritje më të madhe me vlerë rreth 11 miliardë lekësh janë “artikuj gize dhe çeliku”, të cilët përfaqësojnë tubat që janë importuar për nevojat e gazsjellësit TAP.
Si rrjedhojë e këtyre zhvillimeve, importet nga Gjermania zunë 14% të totalit të importeve nga 4.4% që zinin një vit më parë.
Përveç tubave të TAP, mësohet se kanë shënuar dyfishim importet e instrumenteve muzikore. Por importet e tubave të TAP kanë kompensuar deri diku rënien e importeve të tjera. Nga të dhënat e detajuara shihet se importet e produkteve farmaceutike kanë rënë me 20% dhe gjithashtu importet e produkteve plastike.
Në fakt, investimet në projektin gjigant të gazsjellësit kanë ndikuar në rritjen totale të importeve. Sipas të dhënave të INSTAT, shihet se dy grupet e importeve që lidhen me projektin, “Materialet e ndërtimit” dhe “Makineri – pajisjet” u rritën me mbi 12% në krahasim me një vit më parë, duke shënuar rritjen më të lartë se të gjitha grupmallrat e tjera.
Importi i materialeve të ndërtimit shënoi një vlerë 63 miliardë lekë për 10-mujorin nga 55.9 miliardë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje gati 13%. Kjo rritje erdhi për shkak të hyrjes në vendin tonë të tubave që do t’i shërbejnë gazsjellësit TAP.
Po me këto ritme u rritën edhe importet e makinerive dhe pajisjeve, të cilat shënuan 104.8 miliardë lekë, ose 13.8% më shumë se një vit më parë. Edhe ky grup mallrash lidhet me investimet në gazsjellës dhe në hidrocentrale.