Thellohen kontradiktat mes qeverisë së Kosovës dhe listës “Srpska”

Lista “Srpska”, vazhdon të bojkotojë institucionet e Kosovës. Shkarkimi i një ministri serb nga Kryeministri Isa Mustafa, ka thelluar hendekun ndërmjet përfaqësuesve të serbëve dhe qeverisë së Kosovës. Qeveria e Kosovës dhe lista “Srpska”, që përfaqëson shumicën e serbëve të Kosovës, nuk duket se po tejkalojnë hendekun e krijuar ndërmjet vete, që nga vendimi i përfaqësuesve të serbëve që të ngrijnë marrëdhëniet me qeverinë dhe institucionet. Vendimi i fundit i Kryeministrit Isa Mustafa, që ta shkarkojë nga detyra ministrin serb Ljubomir Mariç, ka tensionuar situatën ndërmjet listës “Srpska” dhe partnerëve të saj të koalicionit, PDK dhe LDK. Kryeministri Mustafa, në njoftimin e tij, thotë “ai ka marrë vendim për shkarkimin e Ljubomir Mariçit nga detyra e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal. Në vend të tij ka emëruar Mirjana Jevtiçin, e cila deri më tani ka qenë zëvendësministre e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Mustafa nuk ka bërë të ditur shkaqet e shkarkimit. Por, këto vendime sipas tij, janë marrë me propozimin dhe në konsultim me përfaqësuesit e listës Srpska në Kuvendin e Kosovës.
Përfaqësues të listës “Srpska”, thonë të kundërtën. “Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa do të duhet të bëjë të ditur se në çfarë baze ka vendosur për të hequr një prej ministrave tanë dhe emërimin e një tjetri dhe pse administrata e tij po mashtron publikun se ajo është bërë në pajtim me listën ‘Srpska’. Serbët në Kosovë na kanë dhënë besimin në zgjedhje dhe ne do t’i mbrojmë interesat e tyre dhe do t’i mbrojmë ata prej dhunës së çfarëdo forme. Ajo që bëri Isa Mustafa është një akt i dhunës, i cili nuk do të mbetet pa përgjigjen tonë”, thuhet në reagimin e listës “Srpska”. Përfaqësuesit e kësaj liste i kanë bërë thirrje ministres së re Mirjana Jevtiç, që mos ta ushtrojë këtë funksion.

“Hidhet benzinë në zjarr”
Edhe zëvendëskryeministri serb në qeverinë e Kosovës, Branimir Stojanoviç, ka thënë se shkarkimi i ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ljubomir Mariç, nuk është bërë në pajtim me listën “Srpska” dhe se ky veprim i Kryeministrit Isa Mustafa është “hedhje e benzinës në zjarr”. Mirëpo, Bajram Gecaj, këshilltar i Kryeministrit Isa Mustafa, njëherësh zëvendësministër i Pushtetit Lokal, i tha “DW”-s se, “koalicioni nuk do të rrezikohet pas shkarkimit të ministrit Mariç, sepse shkarkimi është bërë në konsultim me listën Srpska”.
Qeveria e Kosovës përbëhet nga koalicioni LDK, PDK dhe lista “Srpska”. Përfaqësuesit e komunitetit serb janë pjesë e qeverisë së Kosovës, sepse atyre u garantohet pjesëmarrja në institucione me Kushtetutën e Kosovës. Mediat në Prishtinë shkruajnë se, Kryeministri Isa Mustafa e shkarkoi nga detyra ministrin Mariç, pasi ai mori pjesë në disa aktivitete në pjesën veriore të Kosovës në ditën kur Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës i kishte ndaluar hyrjen në Kosovë Marko Gjuriçit. Drejtori për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, përdori rrugë ilegale për të hyrë në Kosovë dhe së bashku me ministrin Mariç u pa në aktivitete në pjesën veriore të Kosovës.

Ministri serb nuk respekton qeverinë
Deputeti i LDK-së që vjen nga rajoni i Mitrovicës, Sadri Ferati, thotë se përfaqësuesit e listës “Srpska”, duhet të respektojnë institucionet e Kosovës dhe ata duhet të qëndrojnë në anën e qeverisë së Kosovës dhe jo të delegacioneve nga Serbia. “Shpesh e kemi pasur rastin që autoritetet e Kosovës që janë përzgjedhur me ligjet e Kosovës të qëndrojnë në anën e delegacionit serb. Ne nuk kemi qenë kundër bashkëpunimit të tyre, por ka një kufi. Ai duhet ta dijë se cilin institucion përfaqëson. Është e papranueshme që një ministër i Kosovës të ndihmojë që në vend të futet ilegalisht një person, të cilin i është ndaluar hyrja në Kosovë”, thotë Ferati.

Mustafa po i shfrytëzon përçarjet
Analisti Ymer Mushkolaj thotë për “DW” se, Kryeministri Mustafa, po përpiqet që një pjesë të deputetëve të listës “Srpska”, ta bindë që të kthehen në institucione. “Lista ‘Srpska’ tashmë është e përçarë dhe këtë situatë e shfrytëzoi Kryeministri Isa Mustafa, kur shkarkoi ministrin Ljubomir Mariç. Mustafa e bëri këtë në marrëveshje me një pjesë të listës ‘Srpska’, pjesë që i takon edhe ministrja e re Mirjana Joviç. Mustafa po përpiqet që të paktën një pjesë të deputetëve të këtij subjekti politik t’ua mbushë mendjen që të mos i bojkotojnë institucionet, në mënyrë që disa procese të çohen përpara”, thotë Ymer Mushkolaj.
Sipas tij, qeveria në Prishtinë duhet të gjejë rrugë të bashkëpunojë me përfaqësuesit e serbëve, sepse votimi i dyfishtë që ua garanton Kushtetuta serbëve, mund t’i shkaktojë kokëçarje të mëdha qeverisë së Kosovës. “Nëse lista ‘Srpska’ vazhdon bojkotin, atëherë do të jetë shumë problematike marrja e vendimeve që kërkojnë shumicë të dyfishtë në Kuvend. Lista ‘Srpska’, varësisht nga instruksionet e Beogradit, mund të vazhdojë së kushtëzuari kthimin në institucione. Por partnerët shqiptarë të koalicionit duhet të gjejnë zgjidhje kreative, në mënyrë që puna e institucioneve të mos bllokohet”, thotë Ymer Mushkolaj.
Lista “Srpska”, ka bojkotuar institucionet e Kosovës qysh në kohën kur qeveria e Kosovës provoi që me ligj ta kalojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Serbët bojkotuan Parlamentin duke thënë se Kryeministri Isa Mustafa, fare nuk është konsultuar me ta. Ata vazhdojnë të kërkojnë që qeveria të nisë hartimin e statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, si pjesë e marrëveshjes nga dialogu Kosovë-Serbi. Mirëpo, qeveria e Kosovës tashmë disa herë është deklaruar se asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të krijohet vetëm atëherë kur në Kosovë të jenë shuar të gjitha strukturat paralele të Serbisë, e disa nga të cilat akoma funksionojnë në Kosovë.