“Financial Times”, goditje Ramës për investimet

Tirana dhe rajone të tjera të vendit mungojnë sërish në renditjen e këtij viti “Qytetet dhe rajonet europiane të së ardhmes, për tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte, 2016-2017”, të publikuar nga FDI Inteligence, njësia inteligjente e “Financial Times”.
Në të kundërt, Shkupi i Maqedonisë renditet i pari në Europë, si qytet dhe si rajon, në listën e qyteteve të vogla europiane për sa i përket eficiencës së kostos, për të tretin vit radhazi. Në të njëjtën renditje, por e matur për qytetet e mëdha të së ardhmes që janë më eficiente, Beogradi renditet në vend të tetë në Europë. Edhe Sarajeva është e gjashta në listën e qyteteve të mesme për këtë tregues.
Stip e Maqedonisë, Prijedor e Bosnjës, Sombor, Vranje e Zajecar të Serbisë janë mikroqytete europiane që vlerësohet se janë eficiente në kosto për të tërhequr investime të huaja.
Shkupi është i gjashti në Europë nga qytetet e vogla europiane për strategjinë në tërheqjen e investimeve të huaja, duke u renditur krah qyteteve nga Britania e Madhe, Franca, Belgjika, Republika Çeke. Edhe Stip është në të njëjtën renditje, por për qytetet e vogla.
Zagrebi i Kroacisë është i nënti në listën e qyteteve të së ardhmes së Europës Juglindore dhe i katërti në renditjen e qyteteve të mëdha europiane sipas kapitalit njerëzor dhe stilit të jetës.

Pse qytetet e Shqipërisë nuk janë eficiente për investitorët e huaj

Treguesi i eficiencës së kostos i matur nga FDI Inteligence, sipas metodologjisë së shpjeguar prej saj, merr parasysh elemente të tilla si paga mesatare e punonjësve të kualifikuar dhe të pakualifikuar, qiraja për zyra sipas standardeve të ndryshme, paga minimale, kostoja e hapjes së biznesit, kostoja e regjistrimit të pasurisë, kostoja e lejeve të ndërtimit, çmimet e naftës, çmimet e hoteleve me 4 dhe 5 yje, kostoja e energjisë, tatim fitimi, TVSH, normën totale të taksave në % të fitimit dhe të ardhurat për frymë të vendit, të matura sipas fuqisë blerëse.
Ndërsa Shqipëria është konkurruese në pagë dhe në qira, ajo është tepër jokonkurruese në çmimet e naftës, që janë më të lartat në rajon dhe sidomos në normën e taksave në përqindje ndaj fitimit, që sipas raportit Doing Business të Bankës Botërore është 36.5%, më i larti në rajon, së bashku me Serbinë. Gjithsesi, ky i fundit e amortizon përmes subvencioneve që u jep kompanive të huaja, si për vende pune të hapura, ashtu dhe mjediseve (ndërtesë apo tokë). Shqipëria ka normën më të lartë të TVSH-së dhe tatimfitimit, (20% dhe 15% përkatësisht) së bashku me Serbinë, si dhe të kontributit të sigurimeve shoqërore të paguar nga punëdhënësi (shënim i “Monitor”).

Renditja europiane, kryesojnë qytetet novative

Për të realizuar renditen e Investimeve të Huaja Direkte, “Financial Times” mbledh të dhëna nga 481 zona në shtetet europiane (294 qytete, 148 rajone dhe 39 kompani partnere lokale) në pesë kategori: potenciali ekonomik, mjedisi i punës, eficienca e kostos, infrastruktura dhe klima e favorshme e biznesit.
Në renditjen e 2016-2017 për të gjithë Europën, mbizotëron Londra, një pozicion që ajo e mban që prej vitit 2006. Investimet në programe dhe IT përbëjnë rreth 40% të totalit për Londrën. Ajo po konkurrohet fort nga Parisi në vendin e dytë dhe Dublini në të tretin (edhe ky i fundit po bëhet një nyje kyçe për IT dhe programet). Parisi vlerësohet si qytet inovativ, që ka numrin më të lartë të patentave të dhëna, si dhe universitete të mira. 6 qytete gjermane janë në listën e 20 më të mirëve për 2016-2017.

“Monitor”