Terrori godet Berlinin, 9 të shtypur nga kamioni

Së paku nëntë veta janë vrarë dhe rreth 50 të tjerë janë plagosur, pasi një kamion është futur në një treg të Krishtlindjeve, në qendër të Berlinit, njoftoi policia gjermane. Pamjet televizive nga vendi i ngjarjes tregojnë njerëz të shtrirë në tokë dhe tezga të rrëzuara.
Policia tha se dyshon se kamioni është përplasur qëllimisht për turmën. “Jemi duke hetuar nëse bëhet fjalë për sulm terrorist, por ende nuk e dimë”, tha një zëdhënës i policisë për agjencinë e lajmeve AFP. Steffen Seibert, zëdhënës i kancelares gjermane, Angela Merkel, ka reaguar në Twitter, duke thënë: “Jemi në zi për të vdekurit. Shpresojmë që të plagosurit t’ia dalin”. Sipas mediave gjermane, shoferi i kamionit është arrestuar.
“Kam dëgjuar zhurmë të madhe. Pastaj, kam shkuar në tregun e Krishtlindjeve dhe kam parë kaos. Shumë njerëz të plagosur. Vërtet traumatike”, ka përshkruar ngjarjen, për Televizionin CNN, Jan Hollitzer, zëvendës i kryeredaktorit në gazetën Berliner Morgenpost. Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë në ambiente të mbyllura.
Facebook, ndërkaq, ka krijuar një faqe që u mundëson njerëzve në Berlin të lënë mesazhe dhe të tregojnë se janë mirë.  Ngjarja ka ngjallur kujtimet e një sulmi në Nicë të Francës, në muajin korrik, kur Mohamed Lahouaiej Bouhlel, me prejardhje tuniziane, ka përplasur një kamion 19-tonelatash për një turmë njerëzish, buzë plazhit, duke vrarë 86 veta.
Policia ka qëlluar për vdekje sulmuesin, ndërsa përgjegjësinë për aktin e ka marrë grupi militant Shteti Islamik.
Në nëntor, Deparatamenti amerikan i Shtetit ka lëshuar një paralajmërim për “rrezik të lartë nga sulmet terroriste në Evropë, sidomos gjatë sezonit të festave të fundvitit”.