Shqiptarët të dytët në botë për braktisjen e vendit

Sot bota numëron 244 milionë emigrantë. Një studim i fundit i kryer nga “Pew Research Center” me të dhënat e vitit 2015 tregon se sot, 9 vende kanë humbur më shumë se 1/5 e popullsisë së tyre. Një e treta e atyre që kanë lindur në Bosnje–Hercegovinë jetojnë tani jashtë vendit. Ndërkohë që 28% e shqiptarëve e kanë braktisur gjithashtu vendin. Shqipëria zë kështu vendin e dytë në botë, me më shumë se 1.1 milionë shiptarë që jetojnë jashtë.
Në Armeni ¼ e popullsisë jeton jashtë territorit, sipas të dhënave të vitit 2015. Në listë janë Kazakistani, Trinidad Tobako, Maqedonia e Portugalia.
Në disa raste arsyeja e emigrimit janë konfliktet e armatosura dhe rreziku i jetës. Shumica e boshnjakëve u larguan gjatë luftës. 30% e 1.65 milionë banorëve, e braktisën vendin.
Në Siri, 22% e popullsisë e ka lënë vendin që nga shpërthimi i luftës civile.
Vendet e tjera janë braktisur për të gjetur mundësi më të mira ekonomike. Këtu bën pjesë edhe Shqipëria ku varfëria është në nivelin 46%.
Sipas raportit, emigracioni ka efekte demografike thelbësore tek kombet. Për shembull, nga Shqipëria janë larguar shumë të rinj. Ndërsa nga Trinidad Tobako më shumë grupe të arsimuarish.
Largimi i të rinjve ndikon në mplakjen e popullsisë dhe lë boshllëqe të rëndësishme në aftësitë e vendeve të origjinës së emigracionit.