I akuzuari si grabitës i bankës shkon në polici: Tërhoqa para në bankomat

Pak minuta pas publikimit nga policia të fotos së një personi që dyshohej se ishte një nga bashkëpunëtorët e grabitjes së bankës një ditë më parë, ky i fundit është paraqitur në ambjentet e Drejtorisë së Policisë, duke deklaruar se nuk kishte lidhje me grabitjen, pasi kishte tërhequr para nga bankomati. Shtetasi i identifikuar si E. Kodra ka dhënë një dëshmi të plotë se përse ndodhej pranë bankës në momentin para ngjarjes.
Ai ka mohuar të ketë lidhje me grabitësit apo që të ketë ndihmuar në veprimet kriminale. I pyetur nga oficerët e Policisë Gjyqësore se përse ndodhej aty, ai ka shpjeguar se do të kryente veprime në bankomat për tërheqjen e një shume parash që ai i ka depozituar si klient i bankës. Më herët policia publikoi foto të E.Kodrës që ndodhej pranë bankës, duke ngritur dyshimet se ai ishte një nga bashkëpunëtorët në ngjarje.
Dy persona të maskuar dhe të armatosur grabitën nën kërcënimin e armës një sasi parash në një bankë të nivelit të dytë në zonën pranë kryqëzimit të “21 Dhjetorit” në Tiranë. Megjithatë ende nuk ka asnjë të ndaluar për ngjarjen. Të hënën, rreth orës 08:30 dy grabitësit të cilët lëvizin me një motor të vogël kryen grabitjen me armë. Njërit prej grabitësve gjatë largimit nga vendngjarja i ka rënë arma tip pistoletë. Dyshohet se grabitësit kanë marrë një shumë prej rreth 50 milionë lekësh.
Në momentin që grabitësit janë futur në bankën e nivelit të dytë te “21 Dhjetori”, personi i parë me të cilin janë përballur ka qenë roja i sigurisë, një burrë rreth të 60-ave. Njëri prej autorëve e ka përplasur atë pas murit, duke e rrëzuar në tokë dhe më pas është drejtuar për tek arka për të realizuar vjedhjen e parave. Burime nga Policia e Tiranës thanë se autorët kanë vepruar me shpejtësi për të shmangur rënien e sinjalit të alarmit, pasi banka ndodhet shumë pranë Komisariatit nr.2. Megjithatë, nuk kanë arritur ta shmangin sinjalin, edhe pse kanë arritur të largohen në kohë, para se aty të mbërrinte policia. Gjatë kohës që njëri nga grabitësit kërcënonte arkëtaren për t’i dhënë paratë, roja i sigurisë që ishte përplasur më parë në tokë ka arritur të aktivizojë alarmin. Në këtë moment, grabitësit i ka zënë paniku dhe kanë nxituar të largohen nga banka. Ndërsa gjatë momentit që largohen, ata janë përplasur në një prej tavolinave dhe njërit prej grabitësve i ka rënë në tokë pistoleta që mbante në dorë. Duke nxituar për t’u larguar nga vendngjarja, ai nuk ka pasur kohë që ta marrë armën dhe është larguar bashkë me shokun e tij, duke lënë pistoletën në ambientet e brendshme të bankës.
Ndërkohë, është gjetur motori që u përdor nga dy grabitësit e bankës pranë “21 Dhjetorit” në Tiranë. Mjeti ishte braktisur pranë Gjykatës së Tiranës. Grupi hetimor po ekzaminon në përpjekje për të gjetur gjurmë të lëna nga grabitësit.