Disa refugjatë nga Aleppo mbërrijnë në Turqi

Disa nga sirianët që u larguan nga Aleppo gjatë ditëve të fundit mbërritën të dielën në Turqi. Evakuimet nga Aleppoja Lindore filluan javën e kaluar, pasi forcat qeveritare rimorën nën kontroll shumicën e zonave të rebelëve. Por procesi u ndërpre të dielën për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet grupeve rebele se si duhet të vazhdojnë evakuimet. Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pritet të votojë të hënën mbi një rezolutë për të dërguar zyrtarë të OKB-së për të monitoruar evakuimet.
Një grup refugjatësh nga Aleppo kaluan kufirin turk të dielën. Disa të tjerë u dërguan në Idlib, një tjetër qytet nën kontrollin e rebelëve në Siri. Këta refugjatë u larguan para se u pezulluan evakuimet, mes dhunës në zonat e mbetura nën kontrollin e rebelëve në Aleppon Lindore.
Gruaja: “Ka luftë. Po bombardojnë njerëzit atje”. Burri: “Ka bombardime, sulme ajrore në Aleppo. Shumë njerëz kanë shkuar në Idlib. Është shumë e vështirë”.
Turqia po ndërton një kamp të përkohshëm refugjatësh në afërsi të kufirit me Sirinë për rreth një mijë refugjatë në nevojë, për të plagosurit, të moshuarit dhe ata me aftësi të kufizuara.
Ndërkohë, militantët dogjën të paktën pesë autobusë të caktuar për evakuime për njerëzit e plagosur dhe të sëmurë nga dy fshatra në zonën e Idlibit. Incidenti rezultoi në pezullimin e evakuimeve dhe la shumë civilë të bllokuar në pika të ndryshme përgjatë rrugës pa qasje në ushqim apo strehim. Autobusë bosh pritën jashtë fshatrave derisa qeveria dhe opozita negociuan një marrëveshje të re evakuimi.
Njerëz në shumë vende të botës kanë protestuar kundër dhunës ndaj civilëve në Siri. Të dielën, një protestë u mbajt përballë ambasadës ruse në kryeqytetin e Jordanisë, Aman.
“Ne duam t’i themi ‘jo’ padrejtësisë, vrasjes së fëmijëve dhe të të gjithë njerëzve në Siri. Ajo që po ndodh atje është përtej … është një masakër, vrasje masive. Dhe ne erdhëm këtu për të thënë ‘jo’, për të protestuar kundër padrejtësisë që po ndodh atje”, thotë Marina, një protestuese jordaneze.
Pas disa orë diskutimesh të dielën, Franca dhe Rusia hartuan një projektrezolutë për dërgimin e vëzhguesve të Kombeve të Bashkuara në zonat e rrethuara për të vëzhguar se si trajtohen civilët dhe që të sigurojnë qasjen e ndihmës ndaj civilëve të bllokuar. Rusia ka vënë veton për gjashtë rezoluta të Këshillit të Sigurimit në Siri që kur ka filluar konflikti në vitin 2011.