Barazimi i së keqes, nuk i shërben dekriminalizimit

Prokuroria njoftoi dje masat e para në zbatim të ligjit të dekriminalizimit. Ajo kërkoi ndërprerjen e mandatit të deputetit për dy deputetë dhe një kryebashkiak. Konkretisht njëri deputet është i LSI, një tjetër i përket deputetëve çamë, por që është në listat e PD dhe i treti është legjendari i Bashkisë së Kavajës, përdhunuesi i fëmijëve.
Në deklaratën dhe njoftimin e djeshëm të Prokurorisë dukej se tentohej të jepej mesazhi i një institucioni që kërkon të vendosë barazi në procesin e së keqes. Kjo sepse, njëri është pjesë e listës së LSI, tjetri të PD dhe i fundit nga radhët e Ramës. Të vendosësh shenjën e barazimit mes krimeve të Artur Roshit dhe procedimit për një patentë të falsifikuar të Dashamir Tahirit është qesharake. A ka njeri të besojë sot në këtë vend se është njëlloj kriminel si Dash Tahiri që paska patur një patentë false edhe Elvis Roshi i dënuar aq herë sa edhe ai vetë nuk e mban mend, duke nisur nga përdhunimet deri tek trafiku i drogës?
Ligji është ligj dhe ai duhet respektuar në çdo gërmë të tij. Dy standardet minojnë besimet tek institucionet. Shfaqja e një show për të njollosur njëlloj si kriminelët edhe ata që janë akuzuar për patentë false është shërbimi më i keq që mund t’i bëhet një reforme si ajo e dekriminalizimit. Kjo reformë ka pasur si qëllim të largojë kriminelët dhe trafikantët nga institucionet. Nëse reforma degradon duke u shndërruar në një lloj policie rrugore që verifikon patentat e deputetëve, atëherë në këtë rast kemi të bëjmë me një degradim dhe në rastin më të keq me një keqpërdorim.