Balaj: I ftohti rus, golat e kombëtarja

Ishte ai “Bekimi” i Shqipërisë. Lojtari që me golin në Portugali i hapi rrugën kualifikimit të Shqipërisë në Europianin 2016, ndërsa përpara turneut në Francë u transferua te Terek Grozni. Ambientimi në futbollin dhe të ftohtin rus nuk ishte aspak i vështirë për Balajn, që u kthye menjëherë në protagonist. “Më vjen mirë që u ambientova shumë shpejt te ekipi i ri, sepse u bëra pjesë e Terekut para Europianit. Kam dhënë një kontribut me vlerë deri më tani. Si unë në aspektin personal, por edhe ekipi jemi në pozicion të favorshëm. Shpresoj të vazhdoj kështu: të shënoj sa më shumë gola dhe të ndihmoj edhe ekipin për të arritur objektivat. I kam luajtur të gjitha ndeshjet dhe kur luan nxehesh dhe përshtatesh edhe me klimën dhe të gjitha aspektet jashtë futbollit. Po ndihem shumë mirë aty”, u shpreh Balaj.
Bekim Balaj shënon, ndërsa Terek Grozni fluturon drejt objektivit për kupat e Europës. Me 8 gola të realizuar në këtë sezon, sulmuesi shkodran është i dyti në garën për golashënuesin më të mirë në Premierligën ruse, ndërsa për vazhdimësinë përpara portës nuk vendos kufij. “Të them të drejtën asnjëherë nuk i vendos vetes kufij. E rëndësishme është të shënoj, më e rëndësishme është të luaj ashtu si kam bërë, të vazhdoj me këtë rritëm, por kufij nuk i vendos vetes”, tha Balaj.
Diskret dhe me këmbë në tokë edhe kur flitet për kombëtaren. Sipas Balajt, kuqezinjtë duhet që fillimisht të përqendrohen te rikthimi në vendin e tretë në grupin kualifikues të Botërorit 2018, ndërsa nuk preferon të bëjë premtime apo parashikime për sfidën e 24 marsit 2017 në fushën e Italisë. “Ndoshta pas humbjes me Izraelin, ajo pritshmëria jonë e lartë për të kapur vendin e dytë u zbeh disi. Megjithatë jemi ende në valle, të arrijmë fillimisht vendin e tretë. Kemi shumë ndeshje të vështira, duke nisur nga sfida me Italinë. Për rezultat në Palermo? Në futboll është mirë të mos bësh parashikime, sepse në shumë ndeshje e kemi parë që parashikimet nuk dalin në fushë. Të japim më të mirën dhe më pas të shohim”, përfundoi Balaj.