A është personi i arrestuar shoferi i masakrës në Berlin?

Shefi i Policisë së Berlinit tha se nuk është e qartë nëse personi i arrestuar pas sulmit të së hënës me kamion në një treg Krishtlindjesh ishte shoferi i automjetit. Klaus Kandt u tha gazetarëve në Berlin se policia “ende nuk ka mundur ta konfirmojë këtë”. Në sulmin e mbrëmjes së të hënës në Berlin u vranë 12 vetë dhe u plagosën rreth 50. Kancelarja Angela Merkel tha se autoritetet supozojnë se sulmi ishte një akt terrorist.
Kamioni u përplas në treg mbrëmjen e së hënës vonë pranë kishës Kaiser Wilhelm, ndërkohë që njerëzit po festonin Krishtlindjet me aktivitete në rrugë. Personi i dyshuar u largua dhe u arrestua rreth dy kilometra më larg.
Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere tha se i dyshuari ishte nga Pakistani dhe kishte aplikuar për azil, por kishte mohuar se kishte ndonjë lidhje me sulmin.
Zonja Merkel tha se do të ishte “tepër e rëndë për ne të gjithë ta besojmë”, nëse përgjegjës për sulmin do të ishte dikush që kërkon mbrojtje dhe azil. “Kjo do të ishte sidomos e neveritshme për shumë, shumë gjermanë, të cilët çdo ditë punojnë aktivisht për refugjatët, si dhe për ata njerëz, të cilët në fakt kanë nevojë për mbrojtjen tonë dhe që bëjnë përpjekje për t’u integruar në vendin tonë”, u tha ajo gazetarëve.
Shtëpia e Bardhë shprehu ngushëllime në një deklaratë me të cilën dënonte “atë që duket të ketë qenë një sulm terrorist”.
Dëshmitarët thanë se tregu popullor i Krishtlindjeve ishte i mbushur me turistë dhe banorë vendas kur aty u përplas kamioni, që duket se ishte me shpejtësi më të madhe se 60 kilometra në orë. Autoritetet thanë se automjeti ishte i ngarkuar me trarë çeliku.
Departamenti amerikan i Shtetit kishte bërë thirrje më herët për kujdes në sheshe dhe vende të tjera publike në të gjithë Evropën.
Pronari polak i kamionit me targa polake, tha se kamioni, i cili drejtohej nga një i afërm i tij mund të ishte rrëmbyer.
Incidenti ngjalli kujtimet e sulmit të muajit korrik në Nisë të Francës kur një tunizian goditi me kamion turmën që po kremtonte Ditën e Bastijës, duke vrarë 86 veta. Për sulmin në Nisë, përgjegjësinë e mori grupi Shteti Islamik.

Merkel: Gjendje e vështirë pas masakrës

“Në rrethanat aktuale mund të mendojmë se kemi të bëjmë me një sulm terrorist”, tha Merkel në Berlin. “Kjo është një ditë shumë e rëndë për Gjermaninë”. Merkel tha në një prononcim, se ajo në këto çaste mendon në radhë të parë për të vdekurit dhe të plagosurit. Një vend i tërë është i bashkuar në hidhërim. “Unë jam me mendime edhe tek forcat e shpëtimit, policët, zjarrfikësit, mjekët e kujdestarët”. Ajo i falënderoi ata “nga zemra për angazhimin e tyre të vështirë”.
Kancelarja tha se, ka besim të madh tek hetuesit, që po punojnë për ta zbardhur këtë akt. Sipas saj ky është një akt “mizor dhe i pakuptueshëm”, që më ka shokuar. Ky akt do të ndëshkohet, “aq rreptë sa e kërkojnë ligjet tona”.
Merkel theksoi: “Ne nuk duam të jetojmë me mendimin, se frika nga e keqja na paralizon”. Ne nuk do të heqim dorë nga tregjet e Krishtlindjeve.

Reagime të tronditura nga e gjithë bota

Pas mësymjes së kamionit 40 tonësh në një treg Krishtlindjesh në Berlin të hënën në mbrëmje, policia flet se autori e ka futur me dashje kamionin në tregun pranë sheshit Breitscheid. Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere është shprehur se ka “shumë” të dhëna që flasin për atentat. “Nuk dua të flas për një atentat, por ka shumë të dhëna që flasin për këtë”, tha De Maiziere për televizionin “ARD”. “Aktualisht po marrim në pyetje një të dyshuar, tha ai “por tani jam me mendje tek të afërmit e viktimave dhe të plagosurit e ngjarjes së tmerrshme”.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila ka qenë që nga orët e mbrëmjes në kontakt të vazhdueshëm me ministrin e Brendshëm, sipas zëdhënësit, Steffen Seibert është shprehur me hidhërim për sulmin në Berlin dhe ka theksuar se “ne mbajmë zi për viktimat”. Presidenti gjerman, Joachim Gauck e ka quajtur të hënën një “natë të rëndë për Berlinin”. Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier u shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave.
Presidenti francez, François Hollande u shpreh se “francezët ndajnë dhembjen me gjermanët përballë kësaj tragjedie që godet të gjithë Europën”. Ndërsa Kryeministri francez Cazeneuve ka theksuar se “e gjithë Franca është në krah të Gjermanisë”. E ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme, Federica Mogherini është shprehur se “Europa u godit edhe një herë. Mendimet tona janë tek viktimat dhe familjet e tyre”.
Edhe qeveria amerikane e ka dënuar sulmin. Presidenti Barack Obama e ka dënuar “me shumë ashpërsi” ngjarjen në Berlin. “Ne jemi bashkë me Berlinin në luftë kundër të gjithë atyre që kërcënojnë mënyrën tonë të jetesës dhe shoqërinë tonë”, ka thënë Obama. Presidenti i zgjedhur, Donald Trump është shprehur se ky është një sulm i tmerrshëm dhe se “bota e civilizuar duhet të ndërrojë qëndrim”.