20 mijë lekë mbifaturim në muaj për çdo familje

Kastriot ISLAMI

Nga të dhënat e ERE rezulton se OSHE ka faturuar më shumë energji elektrike se ç’ka ofruar te konsumatorët. Kjo do të thotë që çdo familjeje shqiptare, mesatarisht, OSHE i ka faturuar 2 mijë lekë (20 mijë lekë të vjetra) më shumë në muaj se ç’ka konsumuar. Kjo del qartas nga llogaritë e kryera bazuar në të dhënat për bilancin energjetik dhe bilancin financiar të OSHE të ofruara nga ERE.

Diferencat mes bilancit financiar dhe energjetik

Në vitin 2015, OSHE ka faturuar për konsumatorët një energji në vlerën 61.780.665.000 lekë; kjo e dhënë del nga bilanci financiar i OSHE përmes të dhënave të ERE. Nëse kjo vlerë do të pjesëtohej me çmimin mesatar 10 lekë/kwh atëherë do të rezultonte se energjia e faturuar konsumatorëve do të ishte 6.178.066.000 kwh.
Ndërsa po t’i referohemi bilancit energjetik, pra sasisë së energjisë së shitur nga OSHE rezulton se OSHE ka shitur për vitin 2015 një sasi energjie në masën 4.459.444.000 kwh. Pra, vihet re një diferencë mes energjisë së faturuar dhe asaj të konsumuar, në vlerën 6.178.066 – 4.456.444 = 1.721.622.000 kwh.

Mënyrat e mbifaturimit

Janë për vitin 2015 rreth 100 mijë raste, kur qytetarët ankohen për mbifaturim. Nga një investigim përmes pyetjeve të bëra qytetarëve për fenomenin e mbifaturimit rezulton se ai kryhet përmes disa mënyrave i) përmes faturave aforfe (ndonëse kohët e fundit pretendohet se janë eliminuar); ii) përmes “xhirimit më të shpejtë të sahatave të matjes së energjisë”, të cilët kalibrohen qëllimisht në këtë mënyrë (OSHE e “rregullon” këtë veprim me Kompaninë e Kalibrimit përmes marrëdhënieve korruptive); iii) përmes një mekanizmi të fundit që është futur në veprim kur prishet aparati matës (në këtë rast, faturimi bëhet sipas vlerës mesatare të 3 muajve të fundit, por çuditërisht aparatet prishen në pranverë dhe mesatarja e konsumit merret për 3 muajt e dimrit kur qytetarët konsumojnë më shumë energji)

Përfundim…

Është e qartë nga këto llogaritje se konsumatorëve shqiptarë me shumë gjasa i është faturuar më shumë energji se ç’kanë konsumuar; kjo vlerë për vitin 2015 është 1.721.622.000 kwh. Nëse kjo do të përkthehej në lekë, do të ishte 17.216.220.000 lekë. Kjo do të thotë se çdo shqiptar është mbifaturuar në vitin 2015 me rreth 6000 lekë.
Ose çdo familje me katër vetë me vlerën 24000 lekë/vit. Ose për çdo muaj, familjet shqiptare janë mbifaturuar me rreth 2000 lekë (ose 20 mijë lekë të vjetra). Shqiptarët duhet të kuptojnë se atyre ju vidhen çdo muaj 2000 lekë nga OSHE.