Shkëlzen Berisha: Anulohet Koncerti në Vjenë më datë 1 janar, do “bëhet” në Tiranë

Teksa shumë debate ka ngjallur i ashtuquajturi “Koncerti i Vjenës në Tiranë”, një tjetër reagim vjen për këtë shou të Kryeministrit Rama. Shkëlzen Berisha shkruan në Facebook se, Filarmonia e Vienës më datë 1 janar është anuluar për t’u zhvilluar në Tiranë më 2 janar 2017.
Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama do të marrë rolin e dirigjentit të orkestrës, shkruan me ironi Shkëlzen Berisha.
“Lajm i orës së fundit Filarmonia e Vjenës anulon koncertin e dt 1 janar në Vjenë për ta zhvilluar atë live nga “Pallati Kongreseve” në dt 2 janar. Mësohet që gjatë koncertit dirigjenti Dudamel dhe kryeministri Rama do të ndërrojnë shkopat.
Rama do të marrë shkopin e drejtimit të orkestrës dhe do të vazhdojë drejtimin e saj, ndërsa Maestro Dudamel do të marrë shkopin e piktorit dhe do të përfundojë një pikturë të lënë në mes nga Rama. Në përfundim të shfaqjes ministri Beqja do të urojë live në të gjitha gjuhët e botës qindra milionë teleshikues me urimin “Suksese në Jetë””, thotë Shkëlzen Berisha.
Edhe pse tashmë është mësuar se bëhet fjalë për vetëm 4 artistë nga Ballkani që do të luajnë, Rama vazhdon të këmbëngulë se bëhet fjalë për orkestrën e Vjenës, të cilën ai ka bërë të mundur ta sjellë në Tiranë.