Mesi i jashtëzakonshëm, ishte derbi i tij

Lionel Mesi ishte padyshim, protagonisti i madh i derbit të Katalunjës mes Barcelonës dhe Espanyolit. Ato lëvizje të tijat ndaj mbrojtësve kundërshtarë në momentin e golit të dytë të realizuar nga Suarez në minutën e 67-të do të mbeten gjithmonë në mendjen e të gjithëve. Driblime të tilla mund t’i bëjë vetëm një si ai që ka fituar 5-herë në karrierë Topin e Artë. Ylli argjetinas i Barçës është i aftë të bëjë çfarë të dojë me topin në këmbë, madje nëse dëshiron ai dhe mund të tallet me kundërshtarët. 5 driblime në një fraksion sekondi ishin një tregues i qartë i aftësive të larta teknike që zotëron 29-vjeçari.
Një aksion i nisur nga Iniesta që gjithashtu ka shumë klas, i vazhduar nga Mesi dhe i finalizuar nga Suarez për kënaqësinë e tifozëve që ishin të pranishëm në shkallët e “Camp Nout” dhe atyre që po e ndiqnin ndeshjen nga ekrani. Vetëm 1 gol realizoi Leo Mesi në suksesin 4-1 të Barcës ndaj Espanyolit, por çdo lëvizje e tij në atë ndeshje ishte si një ilaç për sytë, sepse të tilla paraqitje mbrësëlënëse vetëm një si Mesi di t’i dhurojë. Shtypi spanjoll dhe ai ndërkombëtar i bëri një jehonë të madhe paraqitjes së 29-vjeçarit në ndeshjen ndaj Espanyolit, sepse ai të dielës në mbrëmje ishte derbit i Lionel Mesit, që shpiku gjithçka nga hiçi për të udhëhequr Barcelonën drejt një fitoreje fantastike.
Barcelona jep spektakël në derbin e Katalunjës, me publikun e “Camp Nout” që përulet para magjive të Lionel Mesit. Edhe pse shënoi vetëm një gol në portën e Espanjollit, argjentinasi ishte i papërmbajtshëm me shpërthimet e tij në fitoren 4-1 të Barçës. Pa u mbushur 18 minuta lojë Andres Iniesta ofroi një asist perfekt për Luis Suarezin, që përballë portierit shënoi me qetësi golin e parë.
“Camp Nou” mbeti i mahnitur në minutën e 67-të kur Lionel Mesi vallëzoi mes katër mbrojtësve dhe goditi portën, ndërsa topin e kthyer nga portieri e shtyu drejt rrjetës Luis Suarez. Një minutë më pas, në një aksion të ngjashëm, magjia e Mesit u shndërrua në asist për Jordi Alban, që shënoi golin e 3-0.
Espanjoli mundi të reagonte në minutën e 79-të nëpërmjet një kundërsulmi të shpejtë, që u përmbyll me golin e David Lopez. Nuk mund të mungonte në këtë mbrëmje magjike për blaurganat goli i Lionel Mesit, pas një kombinimi perfekt me Luiz Suarezin. Barça me këtë sukses ngjiten në kuotën e 34 pikëve, 3 më pak se Reali i Madridit që ka një ndeshje të prapambetur.