Katër violinistët, kush i sponsorizon?

Së fundmi, Tirana ka rënë sërish pre e kufizimeve të energjisë elektrike, ndërkohë që nuk është në gjendje njeri që të shpjegojë se e kujt është përgjegjësia. Vetëm pak javë më parë, Teatri Kombëtar, gjatë paraqitjes së shfaqjes Don Kishoti, është detyruar të rrijë në errësirë dhe në të ftohtë për 30 minuta, për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Teatri Kombëtar merr shumë pak financime dhe nuk ka para për të blerë një gjenerator.
Disa ditë më vonë, derby i Tiranës, Partizani-Tirana është anuluar për mungesë të energjisë elektrike, duke lënë mijëra tifozë të zemëruar në stadiumin “Selman Stermasi”.
Operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike (OSHEE), përgjegjës për ndërprerjet e energjisë elektrike, ka mohuar çdo përgjegjësi, duke deklaruar se Federata e Futbollit të Shqipërisë duhej që të instalonte një gjenerator dhe duhej që të komunikonte me OSHEE që ishte duke ndezur dritat.

Nuk do të jetë orkestra sinfonike e Vjenës

Pak ditë më parë, qeveria shqiptare ka lajmëruar me pompozitet të madh se, “është realizuar një ëndërr”, që koncerti i Vitit të Ri i Orkestrës Filarmonike të Vjenës do të zhvillohet edhe në Tiranë, me violinistin kosovar Shkëlzen Doli.
Në të vërtetë, violinisti luan me “Ansamblin Filarmonik të Vjenës”, i cili është një grup me katër instrumentistë, e jo një orkestër sinfonike. Duke parë ngjashmërinë e emrave kjo duket si një lëvizje e zgjuar komerciale. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Doli është një muzikant i një niveli të ulët. Tregon vetëm se, edhe një herë, qeveria shqiptare fryn në mënyrë të trashë realizimet në fushën e arteve, një fushë që mezi po mbahet në këmbë.
Në të vërtetë, qeveria po shpërndan oferta në të djathtë e të majtë për të ngritur teatro dhe ristrukturuar salla koncertesh. Për shembull, Teatri i Operas do të ristrukturohet me një shpenzim prej 1,2 miliard leke (8,9 milionë euro), por 861 milionë lekë do të merren nga buxheti i vitit 2017. Kjo shumë përbën gjysmën e fondit në disponim të kulturës për vitin e zgjedhjeve. Por operatorët aktualë të kulturës, si muzikantë, restauratorë, docentë, aktorë jetojnë nën minimum e varfërisë. Ata kërkojnë se përse duhen shpenzuar gjithë këto para për arkitektë ndërkombëtarë, në vend që shteti t’ua shpërndajë atyre që në mënyrë efektive prodhojnë kulturë.

AGE Art Production

Materialet e propagandës për koncertin e Vitit të Ri nga grupi i Shkëlzen Dolit janë prodhuar nga AGE Art Production. Deri pak ditë më parë lajmit, kjo shoqëri ishte komplet e panjohur në fushën e kulturës shqiptare. Por në një kontest politik ku një grup gazetarësh të tabloideve mund të merren sikur kujdesen për gjithçka, nuk duhet të na befasojë fakti se edhe një grup ndërmarrjesh hidroelektrike mund të shndërrohen në Babagjyshin e Vitit të Ri të Edi Ramës.
Grupi AGE përbëhet nga një grup projektesh hidroelektrike, të gjitha në pronësi të Albanian General Electricity, që në masën 100% janë në pronësi të biznesmenit Sadik Llapashtica. AGE vepron me një numër centralesh hidroelektrike në Shqipëri dhe Kosovë. Asnjë nga aktivitetet e AGE nuk ka qenë ndonjëherë në sektorin e arteve, ndërkohë që mund të themi se siti i AGE Art Production është aq i vjetër sa edhe lajmërimi për koncertin e Shkëlzen Dolit.
Mes sponzorëve të tjerë të këtij manifestimi janë; Balfin, grupi i investimeve i drejtuar nga Samir Mane, i cili ka fituar një sërë koncesionesh në bregdetin shqiptar; dy kompanitë kyesore të sigurimeve që nxjerrin fitime të mëdha nga sigurimi i detyruar; Albpetrol, për të cilën të gjithë pyesin se ku i gjen paratë për të sponsorizuar violinistët; Llotaria Kombëtare, pra një monopol i dhënë austriakëve; Banka austriake Raiffeisen; Ambasada austriake; e natyrisht organizata që ka përgjegjësinë totale për mungesën konstante të energjisë elektrike në të gjithë vendin, OSHEE.
Bëhet fjalë për një ironi të dhimbshme që qeveria shqiptare, në bashkëpunim me ndërmarrje që paraqisin një ndër rreziqet më të mëdha për ambientin shqiptar, por që ende nuk arrijnë të furnizojnë me energji elektrike të gjithë vendin, e ndihmuar gjithashtu nga monopole të ndryshme shtetërore është në gjendje që të prodhojë një quartet të tërë për Vitin e Ri. Ka një shprehje të famshme shqiptare për gjithë këtë histori: “U mbars mali dhe polli një mi”.
Në vend që të financojë institucionet kulturore të vendit, si teatro, muzeume, orkestra, qeveria është kthyer sërish tek ata që janë të predispozuar të servilosen, në pritje të tenderit apo koncesionit të radhës. Falë këtyre “bamirësve”, “altruistë” të vërtetë, ne do të mund të dëgjojmë, një ditë pas Koncertit të Vjenës, një tjetër artist që ka arritur të largohet nga varfëria shqiptare në kërkim të një jete më të mirë. Le të shohim nëse do të arrijnë të mbajnë dritat ndezur.

“Exi.al/it”
Përgatiti: Redin HAFIZI