Kapja e shtetit me ligje selektive

Ka një shqetësim në rritje se kompani apo njerëz afër pushtetit janë duke e ndikuar vendimmarrjen për çështje përfitimi personale. Ekspertët e ekonomisë dhe bizneset janë të shqetësuara për fenomenin gjithnjë e në rritje. Madje këto tentativa kanë çuar edhe në debate, aq sa Kuvendi ka kthyer mbrapsht nisma të qeverisë që ishin tërësisht të dukshme që po favorizonin një kompani të caktuar. Vitin që kaloi, Komisioni i Ekonomisë në Kuvend e rrëzoi një propozim të Ministrisë së Financave për të përjashtuar pijet energjike nga akciza. Kjo politikë e veçuar në shërbim të pak kompanive dhe për një mall konsumi luksi nuk po shkonte në të njëjtën trajektore me nismat për rritjen e akcizës që ndërmori qeveria me mallrat e tjera të akcizës. Vitin e kaluar, në kulmin e konsolidimit fiskal, kur rritja e taksave vërshoi pothuajse në të gjithë zërat, qeveria hoqi TVSH-në për sigurimet dhe e zëvendësoi atë me tatim 3% për primin bruto. Ky ndryshim, megjithëse u miratua në Kuvend, kaloi me debate të ashpra në komisionet parlamentare se ky ligj ishte bërë për të favorizuar kompanitë e sigurimeve dhe se nuk do të kishte përfitime as në çmime më të lira për konsumatorët e as në të ardhura më të larta për buxhetin. Dhe, në fakt, një vit pas këtij ndryshimi, lehtësimi tatimor mbi kompanitë e sigurimit nuk prodhoi lehtësim as për konsumatorët, as për zgjerimin e tregut. Përkundrazi, kompanitë rritën tarifat e sigurimeve të paktën me 20% këtë verë në unanimitet të plotë edhe në shkelje të hapur të ligjit të konkurrencës.