I vihet zjarri makinës së këngëtarit në Tiranë

I vihet flaka me benzinë makinës së këngëtarit Flori Mumajesi në një parking të nëndheshëm në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Parkingun që ndodhet pranë sheshit “Willson”, dhe mësohet se flakët kanë djegur disa prej automjeteve që ndodheshin aty. Mësohet se një person i panjohur ka spërkatur me benzinë makinën e këngëtarit të njohur, Flori Mumajesi.
Sipas burimeve të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30 në rrugën “Ymer Kurti” prapa Postës 8, në Njësinë Administrative Nr.5. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e policisë dhe 5 zjarrfikëse që kanë lokalizuar flakët. Si pasojë e flakëve të shumta dhe tymit të madh, policia dhe zjarrfikëset evakuan të gjithë banorët e pallatit, pasi zjarri nisi të përhapej me shpejtësi.
Burime nga uniformat blu bëjnë me dije, se nuk përjashtohet mundësia e një zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa hetimet do të fokusohen në këtë drejtim. Kamerat kanë pikasur një të ri që futet në garazh dhe ndez dy bidona me benzinë mbi makinën e Flori Mumajesit.