Gjoba 540 mijë euro, Shullazi-biznesmenit: Kështu je njësh ti

Prokuroria ka në dorë një tjetër dëshmi që pritet të “fundosë” Emiliano Shullazin dhe njerëzit e tij të besuar tashmë të vënë në pranga lidhur me akuzën e gjobvënies. Njëri prej dëshmitarëve kyç në procesin e pritshëm kundër bandës sëe Emiljano Shullazit, Ylvi Beqja në dëshminë e tij dhënë në Prokurori, ka rrëfyer se vetëm në një rast i ka dhënë Shullazit lekët e gjobvënies në dorë. Në raste të tjera ia ka dorëzuar njerëzve të tij.
Ylvi Beqja ka dëshmuar tashmë se nga rreth 540 mijë euro të paguara në formë gjobe Shullazit, 50 mijë euro ia ka dhënë vetë në dorë atij. Në dëshminë e tij biznesmeni Beqja ka treguar dhe momentin kur, pasi regjistrohet prona e ish-hotel “Vollgës” në emër të kompanisë arabe që ai përfaqësonte i është kërkuar takim nga Shullazi për të dorëzuar paratë. Beqja ka dëshmuar se nga një filial i një banke të nivelit të dytë ka tërhequr 50 mijë euro dhe më pas ka shkuar të takojë Shullazin në lokalin e këtij të fundit në Rrugën e “Kavajës”. Në momentin që i ka dorëzuar paratë, Beqja dëshmon se Shullazi i ka thënë: “Kështu je njësh ti”.
Biznesmeni Ylvi Beqja ka sqaruar edhe se rreth 250 mijë euro të tjera ia ka paguar mikut të Shullazit, Gilmando Danit, apo dhe dy prej njerëzve të besuar të tij, Endri Zelës dhe Endri Qyqes. Por, një material tjetër që pritet të fundosë Shullazin janë dhe çeqet e firmosura nga njerëzit e tij, pasi i ka paguar në dorë 50 mijë euro Shullazit, raporton “ABC News”.
Këtij të fundit pas pagesës kesh i ka sqaruar se kompania i kishte kërkuar do t’ia dorëzonte në çeqe bankare. Në këtë rast, përfshihen bashkëpunëtorët tashmë të arrestuar të Shullazit. Prokuroria ka arritur të provojë se, nipi i Shullazit, Endri Zela dhe shoku i tij, Endri Qyqja kanë tërhequr para të paktën në dy raste nga çeqet e kompanisë që përfaqësonte biznesmeni Ylvi Beqja.
Pak ditë më aprë, Kolegji Administrativ në Gjykatën e Lartë rihapi çështjen e pronësisë për ish-hotel “Vollgën” në Durrës, duke rikthyer për rigjykim në apel këtë çështje. Kolegji ka vendosur të rikthejë çështjen në Gjykatën e Apelit në Durrës, aty ku kompania “Saaudi Brothers” pretendon se është bërë dhe padrejtësia. Kolegji Civil ka gjetur shkelje në vendimin e Apelit dhe për këtë arsye, ka vendosur që procesi duhet gjykuar përsëri. Themeli i kësaj çështjeje do të jetë përsëri objekti i Apelit të Durrësit, që në vitin 2003 vendosi t’ia kalojë pronën Zanmir Hasës. Togat e zeza kanë lënë në fuqi vendimin për pezullimin e pronësisë së ish-hotelit dhe deri në përfundim të procesit nuk mund të kryhen transaksione me këtë pronë.
Për 11 vite kompania arabe “Saudi Brothers”, e cila e bleu ish-hotelin në vitin 1994 pretendonte pronësinë. Në vitin 2014, Gjykata e Lartë vendos pezullimin e regjistrimit të kësaj prone deri në përfundimin e procesit gjyqësor. Po gjatë 2014, Gjykata e Durrësit me një vendim të dyshimtë, sipas Prokurorisë, anashkalon Gjykatën e Lartë dhe prona regjistrohet në emër të kompanisë arabe. Pas këtij momenti 2/3 e pronës kalojnë tek shtetasit Fejzi dhe Marjeta Kodra për shumën e 671 mijë eurove. Pjesën tjetër kompania arabe me përfaqësues shtetasin Ylvi Beqja ia dhuron për mirënjohje Emiljano Shullazit.
Prokuroria ka dyshime se Fejzi dhe Marjeta Kodra nuk kanë mundësi financiare të paguajnë një shumë të tillë dhe ka dyshime se kanë pastruar para. Por, Fejzi Kodra thotë se paratë i ka marrë nga miku i tij Luan Leka. Veprimet e shitjes dhe dhurimit, thotë Prokuroria, janë kryer nga shtetasi Ylvi Beqja, i cili, pas arrestimit të Emiljano Shullazit mësohet të ketë deklaruar në Prokurori se dhurimin e kishte bërë nën kërcënim dhe se po nën kërcënimin e armëve i kishte dhënë edhe 540 mijë euro. Nga këto veprime shkruan Prokuroria në dosjen hetimore, dyshohet se është kryer një vepër penale tjetër në Hipotekën e Durrësit dhe Tiranës, siç është ajo e zhdukjes së origjinës së kësaj prone dhe regjistrimin e saj në emër të Emiljano Shullazit.