Filarmonia e Vienës: Do marrim hapat e duhur ndaj mashtruesit

Prej ditësh publiku shqiptar është njohur me lajmin e koncertit të Vjenës në Tiranë. Të paktën ky ishte termi i përdorur nga Kryeministri Edi Rama në njoftimin e parë që bëri për këtë event në Shqiperi.
Ndërsa vijoi me foton e radhës së gjatë të njerëzve të interesuar për biletat, Kryeministri nuk hezitoi madje të debatonte me komentuesit për mungesën e biletave dhe cilësinë e koncertit. Por, nëse Edi Rama u tregua i kujdesshëm në terminologjinë e përdorur “koncerti i Vjenës”, sponsorët dhe organizatorët e quajtën atë “Koncerti i Asamblit të Filarmonisë së Vjenës”, gjë që shihet qartë dhe në foton e posterit të këtij eventi.
Nisur nga këto paqartësi, Opinion.al komunikoj zyrtarisht me Filarmoninë e Vjenës. Në e-mailin e parë zyrtar, zyra e shtypit sqaroi se koncerti i parë i kësaj filarmonie do të jetë në datën 16 janar. Por pas këmbënguljes sonë për më shumë detaje lidhur me koncertin e paralajmëruar në Tiranë, përgjigja mbërriti nga drejtori i përgjithshëm i Filarmonisë së Vjenës. Siç dhe shihet qartë (për anglishtfolësit) CEO i Filarmonisë konfimon për Opinion.al se orkestra e Vjenës nuk do të luajë në Tiranë në datën 2 janar.
Por, ai sqaron më tej se çdo përdorim i emrit apo markës “filarmonia e Vjenës” duhet të jetë i autorizuar nga drejtuesit. “Ne do ta konsiderojmë seriozisht këtë informacion për të ndërmarrë hapat e duhur”, përfundon përgjigja që CEO e Filarmonisë së Vjenës i ka dërguar kryeredaktores së Opinion.al, Desada Metaj.
Lidhur me këtë koncert të paralajmëruar, redaksia e Opinion.al i ka dërguar edhe Ministrisë së Kulturës në Shqipëri dhe kompanisë AEG (sponsor gjeneral) 3 pyetje për të cilat pret përgjigje.
Ato janë :
-Sa është numri i instrumentistëve nga Filarmonia e Vjenës që do të luajnë në koncertin e datës 2 janar?
-Sa është vlera e shpenzimeve për sjelljen e instrumentistëve nga Vjena?
Ka pretendime se numri i biletave të shitura online apo në sportele është shumë më i vogël se ai që u deklarua në fillim nga organizatorët.
-Kush është e vërteta dhe sa është numri i biletave të vëna në dispozicion për publikun?
Ne presim përgjigje për këto pyetje, për të patur një ide më të qartë mbi të vërtetën e një koncerti të trumbetuar me të madhe, për të cilin sot për fat të keq mësuam se nuk ka asnjë lidhje zyrtare me Filarmoninë e Vjenës.