Dita anti-establishment dhe establishment Rama

Kastriot ISLAMI

19 dhjetor 2016 është një ditë e rëndësishme anti-establishment për të gjithë planetin. Ka shumë interes që qytetarët shqiptarë, por jo vetëm, të njihen dhe të kuptojnë se qeverisja shqiptare, një “demokraci hibride” apo një “regjim oligarkik” me përmbajtjen dhe formën e një establishmenti duhet të nisë të çrrënjoset pikërisht në këtë ditë të rëndësishme, pra më 19 dhjetor 2016.
Si zgjatim, si vijim apo kopje e një establishmenti të vjetër, të ngritur në kushtet e reja të këtyre 26 vjetëve, establishmenti Rama ka tipare mikse, ka përbërje mikse e formë mikse, një përzierje a simbiozë e establishmentit të vjetër me establishmentin e ri. Në krye të tij është përfaqësuesi tipik i establishmentit të vjetër e të ri, Edi Rama.
Rama është në Shqipëri politikani më jetëgjatë në pushtet e me pushtet dhe më jetëshkrutër në opozitë e pa pushtet. Ai ka qëndruar në pushtet më gjatë se kushdo tjetër, që nga viti 1998 deri në 2011 pa shkëputje, pra 13 vjet dhe që nga viti 2013 deri më sot, edhe 3.5 vjet të tjera, pra gjithsej 16-17 vjet në pushtet. Rama ka qëndruar në opozitë vetëm 2 vjet, në periudhën 2011-2013, por duke qenë me pushtet si kryetar i PSSH. Nga ky këndvështrim formal, Rama mund të konsiderohet ideatori i establishmentit të ndërtuar po prej vetë atij, duke qenë në pushtet si ministër( 2 vjet), si kryeminstër (3-4 vjet), si kryetar bashkie (11 vjet) dhe 12 vjet si kryetar i PSSH.
Establishmenti Rama s’është i ngjashëm me establishmentet e vendeve me demokraci të konsideruara liberale. Establishmenti Rama është i njëjtë apo pothuajse i njëjtë me establishmentet e regjimeve autoritare, oligarkike, korruptive, kriminale, kryesisht me preardhje nga regjimet komuniste dhe me shumë ngjashmëri me regjimet oligarkike të ish-republikave sovjetike e natyrisht pothuajse identik me regjimet oligarkike, kriminale, banditeske të Ballkanit.
Rama është përpjekur ta “integrojë” establishmentin e tij në një establishment më të zgjeruar, rajonal e global, duke synuar ta kthejë në zgjatim të tij, sepse kështu do të mund të realizonte një mbrojtje apo imunitet më të lartë edhe ndaj raporteve apo kritikave që mund t’i vinin establishmentit të tij nga vende apo organizma të ndryshëm, rajonalë, kontinentalë apo globalë. Qëllimi i Ramës ka qenë dhe mbetet, sigurimi i pushtetit të tij personal në krye të këtij establishmenti të centralizuar dhe me vetëm një kokë. Më poshtë jepen disa nga tiparët kryesore të establishmentit Rama.

Establishmenti Rama-mbështetet fuqimisht mbi trashëgiminë puniste…

Duket paska e ekzagjeruar që Rama të etiketohet “punist” për shkak të sjelljeve të tij estravagante dhe deri perverse që ai është mundur të shesë në publik para se të merrej me politikë. Por në realitet, po të analizohen me kujdes sjelljet e tij politike, parapolitike, por veçanërisht në bashki, si kryetar i PSSH, si ministër dhe si kryeministër s’është aspak e vështirë të arrihet në përfundimin se sjelljet e veprimet e Ramës janë të huazuara prej një “punisti të thekur”; ndërkohë që po të çiftohen sjelljet e tij me perversitetin mund të thuhet se ai do të meritonte epitetin “punist pervers”. Sigurisht që sjelljet e tij në kushtet e një regjimi autoritar oligarkik s’mund të mbështeten as në ideologjinë marksiste-leniniste dhe as në praktikat e një sistemi komunist, por ai përdor metoda autoritare, të ngjashme me ato komuniste, që ngjallin reagime të ngjashme thjesht për të marrë pushtetin e ruajtur atë, por sigurisht me veshjen e një regjimi oligarkik e kleptokratik, të maskuar me retorikë demokratike e marketing “kapitalist”. Synimi i vetëm ka qenë marrja dhe është mbajtja e pushtetit përmes pasurimit të paligjshëm dhe për pasurimin e mëtejshëm, duke gjykuar se pasurimi është i vetmi mjet për të marrë e mbajtur gjatë pushtetin. Po ashtu, një nga shtyllat ku ai ka mbështetur projektin e tij janë njerëzit dhe lidhjet e vjetra të regjimit punist, rrjet i cili mendon se zotëron të drejtën e drejtimit të një vendi, të cilin familjet e tyre e dominuan për 50 vjet. Këtë lidhje, Rama e ka arritur jo vetëm përmes trashëgimisë së sjelljeve autoritare, por edhe përmes burimeve njerëzore, më konkretisht përmes afrimit në ekipin e tij qeverisës, në qeveri, në grupin parlamentar dhe në pozitat kyçe të administratës publike të trashëgimtarëve të drejtuesve më të lartë të regjimit komunist, apo siç njihen me emërtimin të “pinjollëve punistë”. Fëmijët e ish-anëtarëve të Byrosë Politike, të Komitetit Qendror të PPSH, të Sekretarëve të Parë të PPSH në rrethe janë aktualisht ministra, zëvendësministra, deputetë, drejtorë kyç në administratën publike dhe drejtues të përfaqësive jashtë vendit. Këta individë janë në shumë raste edhe “shokë fëmijërie” (lidhje kamaradeske) të ish-Bllokut apo rrethinave të Bllokut të Edi Ramës, me të cilët ai ka kaluar rininë në oborrin e Eetablishmentit të baballarëve të tyre. Në këtë grupim përfshihet edhe ndonjë ideolog “i pluhrosur” apo këshilltar tipik “marksist-leninist” që përdoret sa herë Ramës i duhet të shtjellojë tema gjoja teorike a ideologjike që pëlqehen nga një pjesë e votuesve, por që ai vetë ose nuk ja ka idenë ose s’dëshiron të japë përshtypjen se i njeh. Ky grupim përbën aktualisht rreth 15-20 për qind të grupit parlamentar të establishmentit Rama.

Establishmenti Rama-financohet mbi individët e korruptuar me pasuri të dyshimta..

Në klientelën e Ramës bëjnë pjesë politikanë të korruptuar, të pasuruar në mënyrë të paligjshme gjatë këtyre 25 vjetëve. Biznesmenë të pasuruar në mënyrë të paligjshme, për shkak të lidhjeve me politikanë të korruptuar dhe kryesisht me Ramën në krye të Bashkisë së Tiranës, që kanë përfituar në tendera dhe leje ndërtimi gjatë 11 vjetëve që Rama ka qenë në drejtimin e Bashkisë; shumë nga këta personazhe janë aktualisht deputetë, në listën e 20 më të pasurve të Parlamentit. Po kështu në establishmentin Rama bëjnë pjesë edhe manjatë të media-biznesit që kanë ngritur “perandoritë” e tyre mediatike e të biznes-medias përmes lejeve të ndërtimit apo favoreve të ndryshme, kur Rama drejtonte Bashkinë e Tiranës. Të gjithë këta individë, pjesa më e madhe e të cilëve janë formalisht deputetë, kanë pasuri të dyshimta ose pasuri marramëndëse të vendosur në shumicë vetëm nga fondet publike ose lejet e ndërtimit nga Bashkia e Tiranës apo edhe Bashkitë e mëdha të vendit, pasi Rama u vendos në krye të PSSH. Në këtë grupim përfshihen edhe ish-drejtues të lartë në poste lukrative të administratës shtetërore (dogana, tatime, drejtori për dhënie licencash, drejtori në sektorin e shëndetësisë e të ilaçeve, në sektorin e naftës, energjisë elektrike, Prokurori, Gjykata, Polici, drejtim burgjesh, Gardën e Republikës, e tjerë). Këta individë janë pasive në Kuvend duke mos thënë pothuajse asnjë fjalë në seancat parlamentare; por ata janë “burimi kryesor financiar” gjatë fushatave elektorale, ndërkohë që financat e “biznesve të tyre gjithnjë të suksesshme gjatë qeverisjes Rama” (të vendosura në emër të vëllezërve, të afërme të familjes apo miqve të tyre) përfitojnë kontrata të majme nga tenderat e fituara pa konkurim a konkurim të dyshimtë dhe nga koncensionet e qeverisë Rama. Këta individë s’kanë synime për t’u bërë anëtarë të kabinetit qeveritar ndonëse ky oreks ka filluar të shfaqet. Ky grupim, ku përfshihen edhe disa individë me rekorde të tmerrshme kriminale arrin deri në 15-20 për qind të grupit parlamentar të establishmentit Rama.

Establishmenti Rama-kryen aktivitetet e dyshimta me individët me rekorde kriminale…

Në grupin parlamentar të establishmentit Rama dhe në pikat kyçe të administratës publike e institucionet kryesore e të rëndësishme, Rama ka vendosur individë me rekorde të tmerrshme kriminale. Këta individë janë afruar fillimisht si kandidatë për deputetë në qarqet e veriut të vendit me synim blerjen e votave dhe kërcënimin e votuesve. Ky kontingjent përbëhet nga individë që kanë kryer apo janë akuzuar për vepra penale të tipit i) trafik i narkotikëve; ii) trafik i prostitutave dhe organizim prostitucioni; iii) pjesëmarrje në organizata kriminale; iv) vrasje; v) vjedhje të pasurive private, e tjerë, kryesisht në vendet e BE. Këta indivdë për t’ju shmangur hetimit ndërkombëtar në shumicën e rasteve figurojnë me disa emra të ndryshëm. Në këtë grupim përfshihen edhe sekserë mes politikës e biznesit që aktivizohen fuqimisht gjatë fushatave elektorale. Përfaqësuesit e tyre, që janë në Parlament, s’kanë folur pothuajse asnjëherë gjatë katër vjetëve, por kanë vetëm dy detyra i) të jenë në ballë të blerjes së votave dhe kërcënimit të votuesve sa herë ka zgjedhje dhe ii) të kërcënojnë e madje të godasin deputetët e opozitës sa herë ata kritikojnë qeverinë dhe më konkretisht Ramën. Ky grupim ka filluar të ndjehet i rrezikuar për shkak të “dekriminalizimit” dhe ka filluar, nën këshillat e Ramës të marrë disa masa i) të pastrojë/fshijë sa të jetë e mundur gjurmët e “inkriminimit/akuzave” jashtë vendit, duke tentuar të gjejë çertifikata falso pastërtie; ii) të nxjerrë në plan të parë “kukullat” e tyre, më konkretisht fëmijët, vëllezërit, motrat apo njerëz shumë të besuar; iii) të spostohet në poste lukrative të administratës apo iv) të merret me biznes klientelist, që do të thotë sigurimi i votave shpërblehet me tendera, koncensione apo leje ndërtimi. Këta individë janë së bashku me rrjetin e policisë në ballë të kultivimit të kanabisit dhe përdorimit të fryteve të këtij “biznesi” për qëllime elektorale. Ky grupim, nëse do të arrinte një masë kritike në Parlamentin e ardhshëm dhe do të mund të organizohej duke u bashkuar, do të përbënte bazën e “mafias së vërtetë shqiptare” të organizuar si asnjëherë më parë në këto 26 vjet. Ky grupim arrin aktualisht deri në 20-25 për qind të grupit parlamentar të establishmentit Rama dhe ka tendencë të rritet.

Establishmenti Rama-përfaqësohet nga individë me sjellje trendi kontemporane…

“Veshja” e establishmentit Rama janë politikanë të korruptuar, ish-zyrtarë të lartë të akuzuar për korrupsion, ish-drejtues të Bashkisë së Tiranës, ish-anëtarë të organizatës Mjaft dhe të partisë G99. Pjesën më të madhe të tyre, (por jo të gjithë) i bashkojnë disa cilësi i) medikokriteti e mungesa e arsimimit solid; ii) aftësia për të mashtruar dhe bërë propagandë; iii) paaftësia për të qeverisur dhe menaxhuar, por për të qenë gjatë të gjithë kohës vetëm në media; iv) aftësia për të sajuar lajme falso e shpifje në rrjetet sociale dhe sulmuar tinëzisht kundërshtarët përmes llogarive anonime; v) pjesëmarrja në aktivitete me skena perversiteti; vi) disa prej tyre janë pjesëtarë të grupimeve me sjellje atipike, por që promovohen si sjellje trendi kontemporane. Këta janë individët që Rama i preferon e promovon me precedencë dhe këta e shikojnë Ramën si idhullin e tyre. Ky model individi është kandidat për anëtar në qeverinë Rama dhe ndodhet në ballë të propagandës së rstablishmentit Rama. Këta janë edhe veshja, edhe krehja, edhe make-up, edhe parfumi, edhe thonjtë, edhe këpucët e establishmentit Rama. Këta lejohen të vjedhin e pasurohen, por jo përtej një caku të cilin e përcakton Rama. Kush e kalon cakun spostohet dhe nëse e ekzagjeron edhe eliminohet. Në këtë kategori futen edhe disa “kukulla”, burra e gra, të rinj e me moshë mesatare, që afrohen përkohësisht në grupin parlamentar, thjesht për t’u përdorur; këta quhen “kukulla një përdorimëshe”, të cilët keqpërdoren jo rrallë herë për të sulmuar kundërshtarët e Ramës në mënyra të turpshme a qesharake. Këto “kukulla” nuk qëndrojnë më shumë se një mandat në Kuvend dhe nuk kanë asnjë shans të bëhen ministra. Ky grupim shkon deri në 15-20 për qind të grupit parlamentar.

Në vend të përfundimit: Të gjithë bashkë kundër establishmentit Rama

Ky establishment ka filluar të ideohet apo konceptohet që me vendosjen e Ramës në krye të Bashkisë së Tiranës në vitin 2000, pra para 16 vjetëve. Deri në 2005, Rama ka punuar në “ilegalitet” për të realizuar këtë projekt. Me ardhjen në krye të PSSH, Rama filloi realizimin e këtij projekti në të gjithë drejtimet. Në 2009 dhe më intensivisht në 2013, me fitimin e zgjedhjeve, establishmenti Rama mori formën e tij të plotë. Me ardhjen në pushtet në vitin 2013, Rama i atribuoi projektit të tij të gjitha cilësitë e një establishmenti që kontrollon të gjithë pushtetet. Do të ishte hera e parë në historinë e demokracisë, që në karriken e kryeminsitrit të ulej dikush që kishte qenë vetëm para dy vitesh në karriken e dytë më të rëndësishme të vendit, në atë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, për 11 vjet. Do të ishte hera e parë në historinë e demokracisë që nga viti 1991, që ekipi qeverisës s’do të ndërtohej nga “politikanë” përfaqësues të partive politike të mazhorancës, por ai do të formësohej nga individë klientelistë të një establishmenti të quajtur Rilindja, që ishte jo vetëm i ndryshëm, por do të rezultonte edhe në konflikt me interesat e socialistëve. Rilindja apo establishmenti Rama do të merrte në koncension qeverisjen e vendit me votat e socialistëve, të cilët s’do të mund të ishin as aksionerë në këtë sipërmarrje. Ky është një establishment thjesht për interesat personale pushtetmarrëse dhe pushtetmbajtëse të Ramës dhe prandaj meriton të pagëzohet establishmenti Rama. Ky establishment që rrudhet çdo ditë, duke u pasuruar, që shkëputet çdo ditë nga realiteti, duke u bërë më arrogant, që mashtron dhe kërcënon çdo ditë e më shumë qytetarët nga frika e humbjes së pushtetit, po izolohet çdo ditë e më shumë për t’u rrethuar nga të gjithë që u mbetet vetëm një detyrë, ta rrëzojnë dhe çrrënjosin këtë establishment. Sot natyrisht është një ditë e rëndësishme anti-establishment ose thënë ndryshe dita kur të gjithë duhet të nisin të bashkohen për të çrrënjosur establishmentin Rama…

Syri.net