Candreva i jep fitoren Interit

Një gol i Candrevas i jep Interit fitoren ndaj Sassuolos së reduktuar nga mungesat, me zikaltërit që gjejnë fitoren që ju mungonte në transfertë që nga 21 shtatori, të parën nën drejtimin e Piolit.
Kishte plot 10 mungesa Sassuolo që mezi kishte bërë formacionin, ndërsa te Interi ishte preferuar Perisiç në vend të Eder. Zikaltërit morën në dorë frenat e lojës duke shfrytëzuar mirë aksionet nga krahët me Candrevan që shkoi pranë golit dy herë, mes minutës së 12 dhe të 15, por Consili dhe më pas shtylla i thonë jo. Edhe Sassuolo bën të tijën me kundërsulmin dhe kur riniset Ragusa pas një gabimi të Murillos, Mazzitelli për pak sa nuk shënon. Në minutën e 28 Icardi merr një krosim të mirë nga Candreva, por gabon vetëm për pak. Para pushimit ka edhe një rast për Perisiç në minutën e 35, por Consigli ia del ta neutralizojë.
Pjesa e dytë nis pa ndryshime, por ndryshon menjëherë rezultati me Interin që kalon në avantazh falë Candrevës që çon topin në rrjetë pas pritjes së Consiglit në tentativën e Joao Marios. Avantazh i merituar dhe i firmosur nga më i miri në fushë, Sassuolo reagon me Sensin që impenjon në të 63 Handanoviç që ia del të kthejë topin me këmbë. Interi vuan për të menaxhuar rezultatin me Mirandën që në minutën e 84 rrezikon autogolin në krosimin e ulët të Ragusas. Në fund Perisiç dështon dy herë radhazi ballë për ballë me Consiglin brenda dy minutash në minutën e 88 dhe të 90-ën. Në shtesë për t’u sinjalizuar futja në fushë më në fund e Gabigol, si dhe Felipe Melo që merr kartonin e dytë të verdhë, por rezultati nuk ndryshon, mbyllet 1-0 për Interin që arrin fitoren e 3 radhazi duke u ngjitur në kuotën e 27 pikëve.
Napoli arriti të marrë vendin e 3-të në renditje pas një ndeshjeje spektakolare në “San Paolo” me Torinon, që u mbyll me rezultatin 5-3. Mertens ishte protagonist absolut për skuadrën jugore teksa shënoi katër gola në këtë përballje, 3 prej të cilëve në pjesën e parë.
Autori i golit tjetër për Napolin ishte Chiriches, me rumunin që realizoi për shifrat provizore 4-1.
Për miqtë ndërkohë arritën të shënonin, Belotti, Falque dhe Rossetini. Në sfidat e tjera, Pescara është në krizë të thellë pas humbjes 0-3 në shtëpi me Bolognan, ndërsa Chievo dhe Udinese mposhtën respektivisht Sampdorian dhe Crotonen.