Bankat dhe ndërtimi, parashikuesit e inflacionit

Prej vitesh Banka e Shqipërisë nëpërmjet pyetësorëve të posaçëm me bizneset dhe konsumatorët bën parashikimet për ecurinë e përgjithshme të çmimeve (inflacionit). Në një studim të posaçëm mbi saktësinë e këtyre parashikimeve me realitetin ekspertët e Bankës së Shqipërisë kanë vërejtur se bizneset e ndërtimit dhe agjentët financiarë (bankat, kompanitë e sigurimit, etj.,) kanë parashikimet më të sakta se si do të vijojnë çmimet në të ardhmen, teksa shihet një marzh i lartë pasaktësie në parashikimet e konsumatorëve.
Rezultatet kanë treguar se nuk verifikohet një lidhje në pritjet e bizneseve të industrisë dhe të shërbimeve me serinë e parashikimit të inflacionit. Ndërkohë, për pritjet e bizneseve në sektorin e ndërtimit dhe serisë së inflacionit të parashikuar, korrelacioni është mesatarisht pozitiv dhe statistikisht i rëndësishëm. Korrelacion relativisht i mirë dhe statistikisht i rëndësishëm rezulton tek agjentët financiarë, ndërmjet pritjeve të tyre dhe parashikimeve, si në horizontin e 4 edhe të 8 tremujorëve më pas.
Rezultatet sugjerojnë se formimi i pritjeve mund të jetë ndihmuar nga parashikimet apo vlerësimet që janë bërë nga Banka e Shqipërisë në raportet e politikës monetare apo në njoftimet për shtyp të vendimeve të politikës monetare.
Në rastin e bizneseve të shërbimeve vërehet mungesë saktësie. Ekspertët e shpjegojnë me ndjeshmërinë më të ulët të këtyre bizneseve, si pasojë e kufizimit të tyre në një aktivitet më mikro. Nga ana statistikore, ndryshueshmëria më e lartë e zgjedhjes për këto biznese mund të ulë konsistencën në kohë të vlerësimit.
Nëse krahasohen parashikimet dhe pritjet e inflacionit, rezulton se parashikimet edhe pritjet pas një viti, nuk kanë arritur të kapin goditjet e papritura që ka përjetuar inflacioni pas vitit 2008. Megjithëkëtë fakt, pritjet kanë qëndruar historikisht më larg sesa parashikimet nga vlera faktike e inflacionit vjetor.
Rezultatet vijojnë të tregojnë se pritjet sasiore pas një viti, të agjentëve financiarë dhe të bizneseve, kanë qenë më pranë objektivit sesa ato të konsumatorit.