Vdekja e 17-vjeçarit në Vlorë, qytetarët ngrihen në protestë

Qytetarë të ndryshëm dhe familjarët e 17-vjeçarit që humbi jetën rreth një muaj më parë në një aksident në Lugomare të Vlorës zhvilluan ditën e djeshme një protestë-homazh. Familjarë, miq, moshatarë të Kristi Panajotit me foton e djaloshit në duar mbanin pankarta në duar, ku shkruhej ”Na siguroni jetën”, ”Stop shkeljes me këmbë nga shteti”. Ata kanë marshuar drejt vendit ku humbi jetën 17-vjeçari e më pas janë ndalur tek gropa ku humbi jetën jetën 17-vjeçari. Mes vajtimeve ata hodhën lule në gropën që rezulton ende e hapur në mes të rrugës.
Babai i Kristit të ndjerë, Renato Panajoti është shprehur se kjo fatkeqësi me gropën në mes të rrugës mund t’i ndodhi kujtdo. Ndaj ai apeloi sërish për ndërhyrjen e shtetit në ndëshkimin e fajtorëve për të shmangur vetëgjyqësinë “Qoftë ky kurbani i fundit për Vlorën. Do të kërkojmë nga drejtësia dhe nga shteti që të vendoset një drejtësi e saktë dhe brenda normave dhe pa u mbrojtur asnjë pushtetar në këtë vijën e drejtësisë. Denoncimet i kam bërë si tek Kryeministri e tek ministri i Brendshëm, që të mos na lenë hapësirë ne të bëjmë vetëgjyqësi”.
Kristi Panajoti humbi jetën më 26 nëntor, si pasojë e një aksidenti, pasi makina në të cilën udhëtonte së bashku me kushëririn ra në një gropë të hapur në rrugë. Ata kanë akuzuar vazhdimisht firmën, e cila po kryen punimet në rrugën e Lungomares, pasi sipas tyre aksidenti ka ndodhur si pasojë e mungesës së sinjalistikës. Kristi Pananjoti, 17 vjeç vdiq në rrugën e re të Lungomares që po ndërtohet në Vlorë. Ai udhëtonte bashkë me një shok të tij, kur makina ra në një gropë.
Ndërkohë, shefi i hetimit në Policinë e Vlorës tentoi të manipulojë provat, të nxjerrë të pafajshëm shkaktarët e këtij aksidenti tragjik. Rezultoi se firma që po kryente punimet nuk kishte vendosur asnjë tabelë paralajmëruese. Por përgjegjësi mban edhe policia për mos vendosjen e tabelave paralajmëruese në rrugë.