Grabitja e dyqanit të internetit në Tiranë, autori ende i lirë

Policia ende nuk ka mundur të zbulojë dhe arrestojë autorin e grabitjes së 800 mijë lekëve në dyqanin e një kompanie të shërbimeve të internetit. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e të premtes, kur një person i maskuar dhe i armatosur me pistoletë kërcënoi shitësin dhe i mori të gjitha paratë. Policia tha dje se ka shoqëruar disa persona për t’u pyetur në cilësinë e të dyshuarve, por më pas ata janë lënë të lirë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00 të së premtes, në kryqëzimin e rrugës “Kongresi i Manastirit”, me rrugën “Bardhyl”. Shitësi i dyqanit, i ka pohuar hetuesve të policisë se autori ishte një person i veshur me të zeza, rreth 25 vjeç dhe mbante të veshur një bluze me kapuç të zi. Në fytyrë kishte të hedhur një shall për mos u identifikuar.
Sipas shitësit, agresori mbante me vete një çantë, në të cilën futi edhe sasinë e parave të marra në dyqan. Ekspertët kriminalistë të policisë, nuk kanë mundur të gjejnë gjurmë në vendngjarje, pasi grabitësi ka vepruar me doreza.