Fitore me Arsenalin

Pep Guardiola nuk i trembet aspak Arsenalit. Në konferencën për shtyp në vigjilje të supersfidës së javës së 17-të të Premier Leagues angleze, trajneri i Manchester City, edhe pse thuri elozhe për kolegun e tij Arsene Wenger nënvizoi se Citiziens i kanë të gjithë mundësitë për t’i mposhtur Topçinjtë pavarësisht se në 6 ndeshjet e fundit nuk kanë fituar ndaj tyre.
“Nëse ne luajmë mirë jam i sigurtë që ata do të mbrohen gjithë kohës. Për momentin futbollistët e mi janë pak dembelë dhe nuk jemi ende ajo skuadër e fortë që presin të gjithë. Arsenali në krahun tjetër ka kualitete dhe duhet vlerësuar. Jam përballur disa herë me Arsene Wenger-in kur kam qenë në drejtimin e Barcelonës dhe Bayernit dhe kam shumë respekt për të si trajner. Por kjo ndeshje është një tjetër histori. Arsenali di të mbrohet mirë dhe kundërsulmon rrezikshëm kështu që për ne nuk do të jetë një ndeshje aspak e thjeshtë”.
Më pas Guardiola u ndal të fliste për dy individë të skuadrës së tij, mesfushorin nga Bregu i Fildishtë, Yaya Toure dhe turko-gjermanin Ilkay Gundogan, i cili së fundmi ka pësuar një dëmtim të rëndë.
“Më vjen shumë keq për Ilkay-in. Do të jetë një mungesë e rëndësishme për ne. Ai është një futbollist shumë i pafat, por futbolli i tillë është dhe nuk i shmangesh dot dëmtimeve. Yaya Toure? Është i madh, është mirë fizikisht. Toure ka shumë personalitet. Është një lojtar i fortë dhe me shumë cilësi. Në këtë moment kemi nevojë për një si ai në mesfushë”.
Të dielën në orën 17:00 në “Stadiumin Etihad” do të zhvillohet dueli i javës në Premier League, takim ku ekipi i Arsenalit do të bëjë çmos për të ruajtur ndaj Manchester City-t ecurinë pozitive në përballjet ndërmjet tyre, që në fakt zgjat prej plot 6 ndeshjesh. Një sfidë tepër e veçantë për fansat e këtyre dy klubeve, për vetë rrethanat, sidoqoftë trajneri i Topçinjve, Arsene Wenger mundohet t’i thjeshtojë gjërat, duke shpjeguar pak a shumë atë çfarë nevojitet për të bërë mirë në një ndeshje të tillë.
“Ndeshje të mëdha me City-n? Duhet që të mbrojmë mirë, që të gjithë së bashku dhe të mos kemi ndrojtje, çdo herë që kemi topin, duke u përpjekur për të sulmuar, sepse kjo është filozofia jonë dhe mbi të gjitha është pikërisht gjëja që nevojitet në një ndeshje të tillë, megjithatë nuk duhet të harrojmë gjithashtu që City është një skuadër tepër e fortë kur luan në sulm, ndoshta akoma më shumë tani me Guardiolën, kështu që duhet të jemi të përqendruar për t’u mbrojtur sa më mirë”, u shpreh Wenger.