Afërdita Asllani, atdhetarja e heshtur në 100-vjetorin e lindjes

Orhan SAKIQI

Shkruan De Santis: Aquesti esseri solitari manca il presente ma lavenire e loro.
(Këto qenie të vetmuara i mungon e tashmja, por e ardhmja është e tyre). Këto fjalë të arta i përshtaten plotësisht Afërditës, asaj i mungoi e tashmja megjithëse punoi gjithë jetën për të mirën e këtij vendi me të gjitha mënyrat: si mësuese si shkrimtare si përhapëse e ideve për barazi shoqërore si punëtore ndërtimi së fundi për mësimin e gjuhës angleze shumë brezave në mënyrë ilegale kur nuk lejohej, dhe në fund të jetës si mësuese e gjuhës angleze në shkollën e mesme “Sami Frashëri”. Pse i mungoi e tashmja: Sepse shkriu gjithë rininë e saj gjithë energjinë e saj për Shqipërinë e saj të dashur, por pa arritur të marrë asgjë. Jetoi në vetmi dhe në kondita të vështira jetese dhe strehimi pa marrë asnjë mirënjohje për kontributin e saj jo të vogël, por e heshtur dhe ëndërrimtare mendoi dhe punoi deri në fund për një Shqipëri të lirë, për një Shqipëri të bashkuar….
Afërditën e kam parasyve kur vinte në shtëpinë tonë pranë fushës së Shallvares për të takuar nënën time Nevrez Sakiqi (Këlliçi). Kishin qenë së bashku nxënëse në Institutin Shqiptaro-Amerikan të Kavajës. Ato bisedonin për shkollën për mësueset amerikane për bashkënxënëset për diçka të bukur që kishin kaluar në rininë e tyre. Afërdita ishte me trup mesatar e hollë bionde ku dalloheshin thinjat e para me sy bojqielli. Si fëmijë kur e shikoja më ngjasonte me një artiste amerikane. Në të vërtetë me sjelljen me mënyrën si fliste mirë ngadalë ajo çmohej shumë nga bashkëbiseduesit. Një ditë nëna më tha: Afërdita i përket një bote tjetër një bote të ardhme që do të vi patjetër edhe këtu. E këtë botë ajo pati mundësi ta jetoi po si do ta tregoj më poshtë nuk e pranoi…
Po kush ishte Afërdita Asllani? U lind në Nepravishtë më 20.02.1916 (sivjet 100-vjetori i lindjes). Si shumë patriotë të tjerë i ati me shpalljen e pavarësisë kishte ardhur nga Turqia për t’i shërbyer vendit. I vëllai Reshat Asllani ishte nga drejtuesit e Institutit Shqiptaro-Amerikan në Kavajë kështu që Afërdita u regjistrua dhe në vitin 1931 në moshën 15-vjeçare e përfundoi atë në grupin e pesë maturanteve të para. Shkolla amerikane do ta edukonte atë me dashurinë së pari për vendin e saj, me dashurinë për punë për të cilën edhe ishte hapur Instituti. Por e edukoi dhe me dashurinë për Amerikën atdheun e dytë. E ky vend kishte shumë nevojë për njerëz me shkollë e sidomos me shkollën praktike amerikane. E rritur në një familje qytetare, Afërdita nuk përtoi të merrte rrugët e fshatit për t’u bërë mësuese. Punoi disa vjet në fshatrat e Kavajës e pastaj si u sëmur kthehet në Tiranë ku merr pjesë aktivisht në grupet për të drejtat e grave si pjesë e rëndësishme e qytetërimit evropian.
Në vitet 1940–‘41 ajo është studente në Kolegjin amerikan të Athinës. I ndërpret studimet për t’u aktivizuar në luftën kundër pushtuesit. Ajo ishte aktiviste e dalluar në lëvizjen çlirimtare. Punoi si publiciste në revistën: “Gruaja Shqiptare” me artikuj, skica, thirrje me pseudonimet Afras, Drita Shega etj. Punoi kudo në bazë në disa qytete me dashuri dhe pa kursim ashtu siç ishte edukuar në familje e shkollë.
Por ënderrat e saj për një Shqipëri më të përparuar më pranë Evropës u shuan në nëntor 1944. Drejtuesit komunistë i kishin vrarë që më parë ndjenjat e pastërta të rinisë  shqiptare. Ata e futën vendin në një varfëri ekonomike dhe shpirtërore të paparë. Jo thoshte ajo: Nevrez ne punuam për një barazi shoqërore për një Shqipëri të pavarur për një shtet demokratik të tipit perëndimor. Idealiste dhe e pa djallëzuar, ajo nuk kishte arritur të kuptonte djallëzinë e diktatorit, djallëzinë e komunizmit.
Vitet në vazhdim ishin të vështira për të. Dy vëllezër i kishte të burgosur. Reshati që u kujdes për të në Kavajë, u dënua me 10 vjet burg për “agjitacion e propagandë” si një nga themeluesit e shkollës amerikane. Vëllai tjetër Suati, avokati që mbrojti të dënuarit në gjyqin special me 1945 u dënua vetë me 15 vjet burg. Ai patriot i kulluar pjesëmarrës i Luftës së Vlorës, së bashku me Gjergj Kokoshin e Musine Kokolarin ishte në grupin e parë të opozitës shqiptare të quajtur: Bashkimi Demokratik Shqiptar. Në këto kushte mundësia e jetesës së Afërditës ishte vetëm lopata. Dhe ajo nuk pati turp për të punuar si e deklasuar, ajo që kishte dhënë aq shumë, ajo që njihte të gjitha gratë e udhëheqjes komuniste. Por kurrë nuk u ul të shkruante dy radhë….
Afërdita tregonte se kur erdhi ekipi i oficerëve amerikanë në vitin 1945 kishte pasur një propozim martese nga njëri prej tyre, gjë që nuk e kishte pranuar.
Aty pranë shtëpisë tonë në fushën e Shallvares si aneks i saj ishte një terren basketbolli.
Me Afërditën shkonim shpesh aty e ajo më thoshte se kishte luajtur basketboll në shkollë e mbase origjina e basketbollit në Shqipëri mund të jetë pikërisht shkolla amerikane e Kavajës. Para se të ndërtohen pallatet, fusha u prish për t’u ndërtuar kantieri i përgatitjes për ndërtim. Mund të duket e çuditshme po aty punuan si punëtore ndërtimi gruaja e Suat Asllanit ose kunata e Afërditës, Hyrija bashkëshortja e Suat Asllanit.
Afërdita e kishte peng bashkimin kombëtar. Më kujtohet që në protestat që organizoheshin para Ambasadës Jugosllave, ajo megjithëse e sëmurë, dilte me flamur për një Kosovë të lirë. Afërdita nuk arriti ta shohë Kosovën e lirë ashtu si nuk arritën gjithë fisi i Asllanëve që aq shumë dha për këto troje.
Në këtë 100-vjetor të lindjes së saj, kujtoj buzëqeshjen e saj, kujtoj sytë ëndërrimtarë që shpesh i mbyllte kur fliste, kujtoj fjalën e saj të mençur.
Si unë atë duhet ta kujtojnë edhe dhjetëra nxënës të gjimnazit “Sami Frashëri” ku ajo i mësoi gjuhën angleze. Ndonjëri prej tyre duhet të kujtohet për këtë jubile.
E ardhmja është e tyre thotë De Santis.
Të shpresojmë.