7 milionë euro në vit nga koncesioni i laboratorëve

Deputetja Vokshi denoncoi dje skandalin me aferën e koncesionit të laboratorëve prej të cilit Rama me klientin e tij do të ndajnë së bashku 7 milionë euro në vit. “Në një kërkim në faqen zyrtare të Agjensisë së Prokurimit Publik, në lidhje me shpenzimet për laboratorët në të gjithë vendin, na rezulton që në një vit, qeveria shpenzon më pak se 1 milion euro në vit. ‎
Pra, nga 1 milion euro në vit që kushton sot i gjithë sistemi i laboratorëve, pasi t’ia kalojë privatit, shteti do t’i paguajë atij 8 milionë euro. Janë 7 milionë euro më shumë nga taksat e qytetarëve që do të shkojnë në xhepat e klientit të radhës”, tha Vokshi.

PD kundër koncesionit

Partisë Demokratike është kundër konçesionit të laboratorëve, që prej fillimit të vitit 2015 dhe në mënyrë të vazhdueshme deri më sot. Unë dhe deputetet e tjerë të PD-së në Komisionin e Shëndetësisë, kemi bërë disa denoncime në lidhje me këtë konçesion korruptiv dhe abuziv.
Konçesioni i rrjetit të laboratorëve publikë vjen pas atij të check-up-it, të sterilizimit, të dializës dhe është një hap tjetër në planin e mirëmenduar dhe të qëllimshëm të Edi Ramës për të privatizuar shëndetësinë në favor të klientëve të tij.
Së shpejti, do të marrim vesh se kush nga klientët e kryeministrit do ta gëzojë këtë pjesë të shëndetësisë. ‎Ky konçesion e çon aferën në më shumë se 400 milionë euro për 4 konçesione, vetëm në shëndetësi. 400 milionë euro që duhet të shkonin për shëndetin e qytetarëve shqiptarë.
Konçesioni i rrjetit të laboratorëve nuk ka asnjë rast të ngjashëm në botë.
Askund nuk është aplikuar në këtë shtrirje. Vlen të theksohet që të gjitha eksperiencat ndërkombëtare nuk dëshmojnë sukses, por kryesisht dështime apo rikthime në sektorin shtetëror.
Konçesioni po bëhet në mungesë transparence. Detajet e tij po mbahen të fshehta. Nuk janë pyetur mjekët, nuk janë pyetur punonjësit. As Komisionit të Shëndetësisë të Kuvendit nuk i është dhënë informacion i plotë mbi konçesionin, duke shkelur Kushtetutën, legjislacionin në fuqi.
Por ajo që e bën edhe më skandaloz këtë koncesion është se aplikimi i këtij projekti në QSUT sjell efekte të shumëfishta negative: për karakterin unik të shërbimeve laboratorike, në dëmtimin e parikthyeshëm të funksionit pedagogjik, edukativ-formues dhe shkencor të këtyre shërbimeve, që janë qendra kombëtare unike, ekselence për formimin, specializimin dhe punën kërkimore të të rinjve në këto fusha.‎ Dëmet do të jenë të mëdha e të pariparueshme.

Skema e përfitimit të 7 milionë eurove

Beqaj pretendon që duhen 11 milionë euro investime, që qeveria nuk i bën dot, sepse nuk i ka këto fonde. Por gjithkush e di që në këtë sektor, rinovimi dhe modernizimi i laboratorëve mjekësore spitalore publike, nuk ka nevojë për investime fillestare, sepse testet laboratorike shoqërohen me teknologji në përdorim, mirëmbajtje si dhe informatizim laboratorik.
Në një kërkim në faqen zyrtare të Agjensisë së Prokurimit Publik, në lidhje me shpenzimet për laboratorët në të gjithë vendin, na rezulton që në një vit, qeveria shpenzon më pak se 1 milion euro në vit. ‎
Pra, nga 1 milion euro në vit që kushton sot i gjithë sistemi i laboratorëve, pasi t’ia kalojë privatit, shteti do t’i paguajë atij 8 milionë euro. Janë 7 milionë euro më shumë nga taksat e qytetarëve që do të shkojnë në xhepat e klientit të radhës.
Konçesioni do të monopolizojë sistemin laboratorik mjekësor, do të prodhojë çmime të pakontrolluara e të larta, do të cënojë cilësinë dhe transparencën e shërbimit dhe do të krijojë problem të sigurisë për shëndetin e pacientëve. Në këtë sistem të korruptuar që ne kemi, privati do të gjejë përherë mundësi të dëmtojë cilësinë për të fituar më shumë.
Konçesioni pritet të rrisë ndjeshëm korrupsionin nëpërmjet inflacionit të testeve laboratorike, duke rritur fiktivisht pagesat nga shteti, nëpërmjet taksapaguesve.
Konçesioni pritet të ketë pasoja të ndjeshme njerëzore dhe humane, pasi rrezikon të hedhë në rrugë rreth 850 mjekë dhe staf mjekësor.
Me shumë gjasa, ata do të zëvendësohen nga njerëz më pak të kualifikuar, por që kanë në xhep teserën e partisë, që ndjekin mbledhjet e PS-së, apo japin zarfet nën dorë.
‎Konçesioni, s’është gjë tjetër, veçse një proçedurë korruptive dhe abuzive, vetëm 6 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, ‎që përbën një shkelje të rëndë. Partia Demokratike i kërkon Edi Ramës të tërhiqet nga ky koncesion kurruptiv, i cili do të ketë pasoja të rënda humane, shkencore, didaktike, financiare‎. Partia Demokratike nuk e njeh, dhe do ta kthejë mbrapsht këtë konçesion, këtë vjedhje të re në shëndetësi, ashtu si edhe të tjerat që kanë bërë Edi Rama dhe Ilir Beqaj.

Beqja refuzon t’i japë informacion Parlamentit

Koncesion me afat 10-vjeçar, me një total rreth 100 mln euro, që tejkalon mandatet e disa qeverive, por janë zgjedhjet e ju duhen para, para për të blerë votat. I kam dërguar shkresa zyrtare, i kam kërkuar të dërgojë Studimin e fizibilitetit, miratuar me anë të një ligji në këtë Parlament. Por ai refuzon. Refuzon të vijë në Komision! Refuzon të japë informacion e t’i përgjigjet deputetëve?
Çfarë i jep këtë siguri Beqes, i cili refuzon të sjellë një studim të një marrëveshjeje për të cilën ka marrë votat në këtë Kuvend? Po për çfarë e keni dhënë ju votën të nderuar kolegë? Që të vijë Beqja e t’ju thotë: s’dua t’jua jap raportin, sepse kështu më pëlqen? E pastaj pas insistimit e pas presionit edhe të LSI të sjellë një raport në të cilin ka fshehur të dhënat më të rëndësishme? Sepse thotë që janë konfidenciale? Sepse qenkan konfidenciale për ne, ligjvënësit, por Beqaj mund t’i ketë, që t’ja japë asaj kompanie të cilën e ka parazgjedhur ai dhe Rama.
Çdo gjë, terr informativ! Mungesë transparence! Për një koncesion, i cili shumë shpejt mund të kthehet në rrezik të madh edhe kombëtar. Mund të kthehet në një rrezik për financat, për buxhetin. Mund të na kthehet në rrezik për shëndetin. Për mirëqenien e qindra familjeve. Rrezik madje edhe për sigurinë kombëtare!
Pse inistohet kundër vullnetit të të gjithë profesionistëve, teknikëve dhe mjekëve të laboratorëve, duke i shmangur, duke i injoruar ata, duke neglizhuar qëllimshëm çdo sensibilizim në lidhje me rreziqet që mund të vijnë? Dëmet që mund të shkaktohen?
Po pse aplikohen këtu në Shqipëri formula që askush nuk guxon t’i aplikojë? Edhe vendet më të zhvilluara? Kur edhe të gjitha eksperiencat ndërkombëtare nuk tregojnë asnjë sukses?
Në asnjë vend të Bashkimit Europian nuk është aplikuar kjo praktikë e kushtueshme dhe monopoliste, që cenon sigurinë e shëndetit të popullatës. Projekte pilot me asistencën financiare të Bankës Botërore janë kryer në disa vende si Egjipti, India dhe në Nigeria është testuar në disa spitale.

Çfarë thonë ekspertët?

“Çdo sugjerim dhe rekomandim  mbi aplikimin e PPP në formë koncesioni në sistemin laboratorik publik është bazuar në konsultime të gjera me profesionistë të mjekësisë laboratorike, të shoqatave europiane dhe botërore të mjekësisë laboratorike, dokumenta strategjike të Bashkimit Europian siç është Raporti i Panelit të Ekspertëve të Komisionit Europian lidhur me “Analizën ekonomike dhe vlerësimin e partneritetit publik privat në shëndetësi në vendet e Bashkimit Europian” dhe publikime periodike shkencore”, thuhet në deklaratën e Shoqatës së Biokimisë Klinike dhe Mjekësisë Laboratorike shqiptare, e cila argumenton si më poshtë:
Nuk ka të dhëna të qarta dhe të provuara për suksesin e PPP në shëndetësi.
Komisioni i  Ekspertëve të KE shprehet në rekomandimet e tij se, “nuk është e mundur t’ju japim një rekomandim të bazuar në evidenca shteteve anëtare të BE lidhur me rolin e PPP në shëndetësi”.
PPP në shëndetësi “ka pasur më shumë hije se sa drita” (referuar sistemit spanjoll)
PPP në shëndetësi ka një shtirje shumë të vogël në vendet e BE.
Nga analiza e panelit të eksperteve të KE rezulton se PPP në të gjitha vendet e BE përfshin vetëm 1% të investimeve në sektorin e kujdesit shëndetësor; përjashtim bën vetëm Anglia dhe Portugalia.
Nuk kemi asnjë evidencë as nga dokumenta të BE, IFC dhe as nga vëzhgimi i literaturës periodike shkencore lidhur me aplikimin e PPP në shëndetësi në formë të centralizuar dhe të gjeneralizuar.
Ndërkohë në Shqipëri është kërkuar të studiohet aplikimi i PPP në formë koncesioni në 18 laboratorë publikë spitalorë që përbëjnë mbi 80% të sistemit laboratorik publik në vend.
Krijohet monopol dhe dominim tregu (shembulli negativ i Aeroportit “Nënë Tereza”). Operatori privat do të orientohet nga fitimi duke u kufizuar dhe përqendruar në kompani diagnostike me të cilët do të bëjë marrëveshje preferenciale.
Koncesionari do të ketë interes të rrisë numrin e analizave me qëllim rritjen e fitimit (rrezikohet të kemi inflacion testesh laboratorike). Për këtë qëllim, ai do të nxisë mjekët kliniciste që të kërkojne sa më shumë analiza dhe kështu do të rritet në mënyrë të konsiderueshme dhe fiktive pagesa që shteti, nëpërmjet taksapaguesve, duhet t’i rimbursojë kompanisë private.
Shembulli i Lesothos në Afrikë, ku një spital i ngritur sipas këtij modelit sot merr 1/2 e buxhetit të shëndetësisë së atij vendi.
Nuk ka asnjë shembull, ku shërbimi laboratorik unikal universitar i një shteti të jepet me koncesion.
Aplikimi i këtij projekti në QSUT do të kishte efekte të shumëfishta negative jo vetëm për karakterin unik të shërbimeve laboratorike në këtë qendër universitare, por dhe në dëmtimin e parikthyeshëm të funksionit pedagogjik, edukativ-formues dhe shkencor të këtyre shërbimeve, që janë qendra kombëtare unike dhe ekselence për formimin, specializimin dhe punën kërkimore të të rinjve në këto fusha”.
Nëse pyet përfaqësuesit e Shoqatave të Biokimisë Klinike dhe Mjekësisë Laboratorike apo të teknikëve të laboratorëve, deklarojnë që nuk kanë asnjë dijeni e nuk janë konsultuar për koncensionin e shërbimit laboratorik mjekësor. As nuk janë pyetur, dhe as nuk janë përfshirë në asnjë grup pune. Pra, tinëzisht, profesionistët dhe ekspertët më të mirë janë përjashtuar nga vendimmarrja, megjithëse ligji thotë ndryshe!
Ministri thotë që është sektor që ka nevojë për investime të mëdha, të cilat qeveria nuk i bën dot se nuk i ka paratë. Justifikim bajat, i cili nuk qëndron aspak: Ky justifikim është hedhur poshtë nga ata që tërë jetën e tyre i janë përkushtuar kësaj fushe, pasi investimet e viteve të fundit nuk mungojnë, dhe as stafi i trajnuar e profesional nuk mungon.