1 mijë talente të skeduar

Nga vëzhgimet e talenteve dhe shifrat mbresëlënëse të projektit për të seleksionuar lojtarë të rinj në të gjithë Europën deri te ëndrra që të bëhet trajner. Drejtori teknik i ekipeve kombëtare, Paolo Tramexani rrëfen planet e së tashmes dhe objektivat e së ardhmes.
Vëzhgimet nëpër Europë: “Le të themi që po bëjmë një punë mjaft të rëndësishme, tek e cila presidenti Armand Duka dhe e gjithë Federata besuan. Për rrjedhojë ndihemi të shpërblyer, që mund të vëzhgojmë të gjithë djemtë shqiptarë, të cilët jetojnë në Europë dhe janë vërtet të shumtë. Kjo realizohet nëpërmjet një rrjeti zbuluesish, persona të cilët jetojnë në emigrim, por edhe nëpërmjet një kërkimi që kryejmë ne në mënyrë direkte. Në këtë mënyrë arrijmë të monitorojmë shumë të rinj, do të thoja qindra lojtarë në të gjithë Europën”.
Risi në seleksionime: “Në të ardhmen kemi programuar të zhvillojmë grumbullime edhe në shtete ku më parë seleksionimet nuk ishin realizuar në mënyrë direkte. Bëhet fjalë për Belgjikën, Austrinë dhe Gjermaninë, por edhe vendet e Europës Veriore, ku përfshihen edhe Danimarka e Suedia, por edhe në Turqi. Arsyeja që na shtyn ta kryejmë këtë punë, është se ne e cilësojmë të rëndësishme që t’i ndjekim lojtarët prej moshës së vogël, kur janë ende fëmijë. Në fakt jemi gati që të inaugurojmë edhe kombëtaren e 15-vjeçarëve, e cila mungonte në organizimin tonë. Besoj se është e rëndësishme, që kjo rrugë të përshkrohet me ndihmën e të gjithëve, duke nisur nga kombëtarja e madhe dhe deri te më të vegjëlit, duke përfshirë në këto seleksionime edhe trajnerët e të gjitha skuadrave kombëtare. Kjo është mundësia që të vëzhgojmë, të unifikojmë edhe programin, të shohim të njëjtat aspekte te të rinjtë, duke bërë që kërkimi të ketë si synim një lloj të caktuar lojtari. Cilësitë e para që shohim dhe vlerësojmë janë aspekti teknik, tekniko-individual, vizioni i lojës, shpejtësia e të menduarit dhe shpejtësia me topin në këmbë. Mendojmë se këto janë aspekte të rëndësishme dhe që lojtarët tanë, mbi të gjitha të rinjtë, të cilët janë edhe më të talentuar, i kanë në mënyrë natyrale. Është e qartë, që ndoshta ata që janë rritur jashtë vendit, ndryshe nga të rinjtë që jetojnë në Shqipëri, mund të ketë eksperiencën e një shkolle tjetër. Në Itali u evidentua që kemi fëmijë, të cilët prej moshës së vogël, janë mjaft të përgatitur edhe në aspektin taktik, duke marrë shembull nga kultura e futbollit italian. Kjo na e lehtëson punën edhe për të ardhmen. Kemi vëzhguar gjithashtu fëmijë të moshës 12-13-vjeçare dhe është kënaqësi të shohësh që në skuadrat e akademitë e Juventusit, Milanit, Romës, Interit, Lazio-s, Fiorentinës, Empolit, Atalantës, Parmës, Sasuolos e kështu me radhë, pra në të gjitha skuadrat e klubeve të rëndësishme luajnë fëmijë shqiptarë. Mendoj që kjo është një arsye për të qenë krenarë. Ne duhet t’i ndjekim, t’u qëndrojmë pranë, në mënyrë që këta të rinj ta ndjejnë se ndodhemi aty dhe t’u bëjmë të kuptojnë, që e ardhmja varet nga ata”.
Skedimi i të rinjve: “Për ne është e rëndësishme t’i ndjekim dhe t’i monitorojmë të gjithë. Vendosëm se mënyra më e lehtë për ta realizuar është të plotësojmë një program të personalizuar për secilin lojtar. Si për ata që ndjekim, ashtu edhe ata që seleksionojmë, të vetëdijshëm se mbi të gjitha, te të rinjtë shohim talentin aktual, por edhe atë që mund të jetë talent i perspektivës. Në aspektin organizativ, e cilësojmë shumë të rëndësishëm menaxhimin e të gjitha të dhënave që dalin nga seleksionimet dhe nga vëzhgimi i këtyre fëmijëve. Si të atyre që seleksionohen, e që sipas nesh në këto momente janë më të avancuar në krahasim me të tjerët, por edhe lojtarë që aktualisht kanë një nivel paksa më të ulët. Vlerësimi duhet të jetë kompleks, duhet të mbahet parasysh që çdo fëmijë ka një zhvillim të veçantë fizik, teknik, taktik dhe në zgjidhjen e situatave të lojës. Do të vazhdojmë t’i monitorojmë dhe t’i ndjekim në kohë, duke u kujdesur për të gjithë aspektet, nëpërmjet një skede vlerësimi. Këto skeda janë teknike, taktike, fizike, koordinative, por janë edhe emocionale. E rëndësishme është edhe puna e përgatitësit atletik të ekipit të parë, Alberto Belle. Ai kryen teste njësoj si me kombëtaren A: me GPS dhe kompjuter, për të matur elasticitetin muskulor, gjendjen fizike, kohën e shpërthimit dhe mbi të gjitha shpejtësinë me topin në këmbë”.
1,000 lojtarë nën vëzhgim: “Mendoj që në momentin kur të përfundojmë edhe seleksionimet në vendet që thashë më parë, pra Turqi, Danimarkë, Suedi, Gjermani, Belgjikë dhe Austri, duke përfshirë edhe ato që kemi bërë në Itali, Zvicër, Shqipëri dhe Greqi do ta kalojmë shifrën e 1,000 fëmijëve”.