Shqiptarja kapet me 3.8 kg kokainë

Një 25-vjeçare shqiptare është arrestuar nga policia italiane në Peruggia, pasi është kapur me rreth 4 kg kokainë. Droga ishte fshehur në çantën e djalit të saj 4-vjeçar. Gruaja është mbajtur nën vëzhgim sapo ka dalë nga një ndërtesë në pronësi të një çifti shqiptar, me gjithë djalin e saj. Prania e fëmijës nuk i ka penguar policët të ushtrojnë kontroll ndaj 25-vjeçares.
Forcat e policisë kanë gjetur në brendësi të çantës së saj, një tjetër çantë shpine që kishte brenda 3 kg e 800 gram kokainë, të ndarë në 3 pjesë në formë drejtkëndore, secila me peshë rreth 1.1 kg dhe të mbështjella me letër celefoni si dhe 7 topa të tjerë me peshë 500 gram gjithsej.
25-vjeçarja shqiptare, e cila ishte e papunë kishte edhe 3400 euro me vete që dyshohet se vinin nga aktiviteti ilegal i trafikut të drogës.
Ajo është arrestuar në flagrancë dhe është dërguar në paraburgim, ndërsa i biri është marrë nga shërbimet sociale. Dje në mëngjes, kur është bërë edhe seanca për vlerësimin e arrestit për 25-vjeçaren ajo është nxjerrë në arrest shtëpie pikërisht për shkak të domosdoshmërisë për t’u kujdesur për të birin.