Kapen në Holandë me 330 kg kokainë 2 shqiptarë

Në Roterdam të Holandës janë sekuestruar rreth 330 kg kokainë, ndërsa në pranga janë vënë 2 shqiptarë. Sasia rekord e drogës llogaritet të ketë një vlerë 20 milionë euro. Policia nisi dyshimet, pasi u zbuluan dy shqiptarë në pjesën e sigurisë së lartë, ku zbarkohen konteinerët. Menjëherë policia kontrolloi sektorin ku u arrestuan shqiptarët, duke zbuluar dhe sasinë e madhe të drogës. Shqiptarët janë të moshës 25 dhe 35 vjeç. Identiteti i tyre nuk bëhet i ditur.
Në pranga është vënë edhe një tjetër person. Mësohet se kokaina vinte nga Amerika e Jugut, por nuk bëhet i ditur destinacioni. Sipas autoriteteve holandeze, kjo ngjarje është provë e fuqizimit të kriminelëve shqiptarë në këtë vend. Ndërkohë, para disa ditëve një postbllok policie është sulmuar. Forcat e rendit kanë reaguar, duke qëlluar në ajër. Mendohet që incidenti ka lidhje, pasi për disa ditë ka pasur informacion që mund të vinte një sasi e madhe droge në Rotterdam. Ditët e fundit janë sekuestruar 25 kilogramë të tjera kokainë në të njëjtin port të fshehura në konteinerë frutash.