I pritet fyti taksistit e i grabitet makina

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur si pasojë e krizës së depresionit nga varfëria dhe papunësia. Një taksist 65-vjeçar është therur me thikë në fyt vetëm për 20 mijë lekë dhe më pas i është grabitur makina. Sipas burimeve të policisë, taksisti Idriz Karriqi është marrë nga 24-vjeçari Musa Saraçi për të bërë një rrugë jashtë qytetit. Por, tragjikisht kjo rrugë ka qenë e fundit për taksistin nga Kavaja, i cili është qëlluar disa herë me thikë brenda në makinë nga i riu në grykëdedhje të Shkumbinit, në zonën e vilë-Bashtovës. Pas vrasjes, 24-vjeçari ka lënë trupin pa jetë në zonën e thellë ku kishte kryer vrasjen dhe ka marrë makinën në brendësi të të cilës kishin mbetur njollat e gjakut të taksistit. Gjatë largimit nga vendngjarja, i riu ka përplasur makinën dhe më pas e ka çuar në një pikë servisi. Kanë qenë punëtorët e kësaj pike, të cilët, pasi kanë konstatuar njollat e gjakut e kanë njoftuar policinë. Kjo e fundit ka bërë prangosjen e 24-vjeçarit, i cili më pas ka treguar dhe vendin ku kishte kryer krimin dhe kishte hedhur trupin në zonën e Grykëderdhjes së Shkumbinit.
Të mërkurën, Idriz Karriqi ishte denoncuar i zhdukur nga familja e tij. Saraçi nuk ka treguar panik kur mori taksinë dhe u ul në sediljen e pasme. Kërkesën e bëri në sy të banorëve. Viktima, baba i dy vajzave në emigracion jetonte në një pallat në qytetin e Kavajës. Tashmë ata kryejnë ritet e fundit të ceremonisë mortore. Kurse në familjen e autorit ka dramë. Prindërit e të riut vrasës, Dhurata dhe Ramiz Saraçi, thonë se djali i tyre ishte një i papunë, por jo i droguar.
Vrasësi 24-vjeçar u ka thënë hetuesve se e kishte vrarë Idriz Kariqin, për t’i marrë lekët. Ai e ka qëlluar disa herë me thikë, duke i prerë dhe fytin. Musa Saraçi, 24-vjeçari nga Gosa e Kavajës tregoi që e vrau taksistin për 30 mijë lekë.
Dëshmia e vetë autorit të ngjarjes para hetuesve, tregon sesa gjakftohtë ka qenë ai gjatë kohës kur ka kërcënuar e më pas vrarë 65-vjeçarin Idriz Karriqi. “I thashë taksistit të më çonte në fshatin Greth. Taksistin e çova në një rrugë të ngushtë fshati. Më kërkoi më shumë lekë se ndryshova rrugën. I thashë do të vras, nëse nuk më jep 30 mijë lekë. Taksisti m’u lut disa herë që të mos e vrisja. U kthyem nga rruga dhe u nisëm për në Kavajë. E detyrova të zbriste nga makina, ecëm në këmbë. E qëllova disa herë me thikë në një kodër me shkurre. E lashë aty viktimën, mora makinën, por rashë në kanal”, ka rrëfyer Musa Saraçi. Saraçi ka rrëfyer se donte vetëm t’i grabiste taksistit paratë që mbante me vete, që sipas familjarëve, kanë qenë 2 mijë lekë të reja. Pasi e ka qëlluar disa herë me thikë në pyll, 24-vjeçari i ka marrë taksistit edhe sendet personale dhe automjetin. Policia ka arrestuar në të njëjtën kohë edhe Alush Batushën nga Rrogozhina, pasi është personi që ka blerë mjetin e viktimës kundrejt shumës 30 mijë lekë. Batusha e mori këtë makinë pa asnjë dokumentacion nga autori i vrasjes.

Familjarët: E vranë për 20 mijë lekë

Familjarët e Idriz Karriqit, shoferit të vrarë nga një 24-vjeçar, kanë hapur dje dyert e mortit. Mes dhimbjes dhe lotëve, ata shprehen të tronditur nga ngjarja e rëndë. Teksa thonë se një krim i tillë nuk ishte dëgjuar në qytetin e Kavajës, të afërmit e 65-vjeçarit shprehen se gjithçka ka ndodhur për 20 mijë lekë të vjetra, që ai kishte me vete dhe makinën.
Të afërmit thanë se, lajmin e kanë mësuar pas mesnatës së shkuar. Qytetarë të shumtë të Kavajës i drejtohen banesës së Idriz Karriqit, për t’u shprehur ngushëllime familjarëve për humbjen e rëndë, ndërsa thonë se një “krim i tillë monstruoz, i mori jetën babait të dy fëmijëve”.
Idriz Karriqi vuante nga sëmundjet e zemrës, dhe vetëm vitin e shkuar i ishte nënshtruar një ndërhyrje, “by pass”, por për shkak të mungesës së të ardhurave ishte i detyruar të punonte. Vetëm prej pak kohësh, ai kishte dalë në pension, por paratë nuk i mjaftonin për të përballuar shpenzimet e përditshme.
Familjarët e Idriz Karriqit kanë njoftuar policinë në datën 14, të shqetësuar për faktin se pjesëtari i familjes së tyre nuk u kthye në banesë si çdo mbrëmje. Menjëherë pas denoncimit, Prokuroria dhe Policia e Kavajës nisi hetimet për ngjarjen, dhe shumë shpejt ra në gjurmën e autorit të dyshuar për ngjarjen.