“Fusha e Aviacionit” në Tiranë dhe Lapraka, 4 ditë pa drita

Zona tek ish-“Fusha e Aviacionit” në Tiranë ndodhet pa energji elektrike prej katër ditësh. Qytetarët kanë bërë apel, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë nga OSHEE për kthimin e energjisë. Nisma “Thurje” ka publikuar mesazhin e një qytetari, i cili shkruan se Fusha e Aviacionit ka 4 ditë pa drita. “Ujë nuk ka, sepse nuk punojnë pompat dhe për rrjedhojë nuk lajmë dot as rrobat. Të moshuarit nuk dalin dot të blejnë ushqime, sepse nuk punon ashensori. Dhe këta kanë sy e faqe dhe dalin e flasin për arritjet e tyre? Viti 2017 po na gjen më keq se në Afrikë”, shkruan një qytetar, i cili kërkon të mbetet anonim, sepse ka frikë se e pushojnë nga puna.
Ndërkohë edhe zona që nga Lapraka dhe deri në hyrje të Rrugës së “Durrësit” ndodhet pa energji elektrike. Shkak është bërë dëmtimi i kabllos nga një firmë që po punon për kanalizimin e një blloku pallatesh. Menjëherë ka reaguar Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, i cili njofton se po punohet për eliminimin e defektit të shkaktuar.
“Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, njofton se një firmë private e nënkontraktuar nga Bashkia për sistemimin dhe kanalizimin e bllokut të pallateve në Laprakë ka dëmtuar kabllon 20 Kw të fiderit A7 n/stacioni rajonal që furnizon me energji gjithë zonën e Laprakës.
Aktualisht janë pa energji zona e Laprakës, që përfshin pallatet pranë Spitalit Ushtarak deri në hyrje të rrugës së “Durrësit”. Grupet e punës së avarisë janë në terren dhe po punojnë për gjetjen e më pas eliminimin e defektit të shkaktuar”, thuhet në njoftimin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. OSHEE njofton se do të marrë të gjitha masat, duke kallëzuar penalisht subjektin përgjegjës për dëmin e shkaktuar kompanisë dhe abonentëve të saj.