“Çmenduri” për Mesin, 100 milionë në sezon

“Çmenduritë” nga Kina nuk kanë të sosur. Në Lindjen e Largët kërkojnë të pushtojnë skenën e futbollit botëror me shifra të çmendura. Tentativa e fundit ka vënë në shënjestër atë që konsiderohet si lojtari më i talentuar në botë Lionel Mesi. Bëhet fjalë për skuadrën e Hebei Fortune, që sipas “Sky Sports” është gati ta peshojë argjentinasin në ar, për ta marrë në kampionatin kinez. Pas kalimit të Carlos Tevez në Kinë, për një kontratë dy vjeçare që do t’i japë Apashit plot 80 milionë euro, aziatikët kanë vendosur të tentojnë edhe Lionel Mesin. Ylli argjentinas është duke zhvilluar bisedime për rinovimin e kontratës me Barcelonën, por Hebei Fortunë, skuadër që drejtohet nga një emër i njohur i futbollit europian, ish-trajneri i Real Madrid dhe Manchester City, Manuel Pellegrini, ka vendosur t’i prishë mendjen Mesit, duke i vënë në tavolinë një ofertë për një kontratë 5-vjeçare me pagë 100 milionë euro neto në sezon, të gjitha për t’u futur në xhep, pa përfshirë këtu taksat.
500 milionë euro në një kontratë janë diçka në kufijtë e të paimagjinueshmes, por Hebei nuk është se e ka për të parën herë që bën kontrata faraonike, duke qenë se ka angazhuar Ezequiel Lavezzin, me një pagë prej 13 milionë eurosh në vit, ndërsa ish-futbollistin e Romës, Gervinho e mori me një akord për t’i paguar 150 mijë euro për çdo ndeshje. Tani ëndrra e tyre është Mesi, të cilit i skadon kontrata në vitin 2018, me Barcelonën që i ofron për rinovimin një rritje të ndjeshme të pagës, duke e çuar atë në 35 milionë euro në sezon, nga 24 milionë euro që merr argjentinasi aktualisht.