19 milionë dollarë në vit për Vilmën

Albana VOKSHI

Meqenëse Kryeministrit i pëlqen t’i referohet raporteve të ndërkombëtarëve, të citojë edhe thënie të paqena nga Shën Tereza, Kanti etj… Meqenëse as i kupton, për të kënaqur kërshërinë e tij dhe të kolegëve deputetë, por edhe të qytetarëve që në këtë orë na ndjekin, do t’u referohem vetëm raporteve të fundit që për fatin e keq të Ramës janë me bollëk dhe mjafton t’u referohemi atyre si arbitër i paanshëm…
Raporti i para dy ditëve i Eurostat thekson që Shqipëria, nën qeverisjen, politikat dhe reformat e Ramës, është “suksesshëm” vendi i dytë më i varfër në Evropë, me të ardhura për frymë vetëm sa 30% e mesatares së vendeve të BE, duke lënë pas vetëm Bosnjen në vendin e fundit me 28%.
BERZH, në një studim që publikoi para disa ditësh ndalet në atë që Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë të korrupsionit e që ai (korrupsioni) mbetet sfida më e madhe.
Po ashtu, Banka Botërore në Country Snap shot (Albania) (tetor 2016): Poverty rate – niveli i varfërisë në Shqipëri është 47.5%, ndërkohë që e lamë në nivelin 12.5% më 2013.
Dhe sot, ju qeveritarë, guxoni e na thoni që jeni solidarë… politikat tuaja janë solidare… Po ku është solidariteti kur ju jeni pasuruar shumë më shumë në vitet e fundit dhe qytetarët janë varfëruar shumë më shumë.
Po si mund të thoni sot që ju bëni politika solidare, kur qytetarët s’kanë me çfarë t’i ushqejnë fëmijët e tyre?
Kur 100 mijë fëmijë s’kanë vafte ngrënie të mjaftueshme?
Kur 50 mijë fëmijë shfrytëzohen për punë në rrugë?
Kur me politikat tuaja keni spastruar popullsinë, keni zbrazur fshatra të tëra, mbi 200 mijë shqiptarë janë larguar në dy vite.
Ndërkohë që 200 mijë të tjerë kanë aplikuar vetëm në një vit, pra gati 10% e popullsisë ose janë larguar ose po tentojnë të largohen.
Raportet e fundit të agjencive të mirënjohura ndërkombëtare tregojnë dështimin e reformave të qeverisë Rama. Sot Shqipëria është vendi më i varfër dhe më i korruptuar në Evropë. Ka dështuar totalisht në implemetimin e ligjit të dekriminalizimit dhe antikorrupsionit. Sot vendin e kanë marrë peng trafikantët dhe bandat. Sot shteti ligjor është nën kthetrat e kriminelëve që bëjnë ligjet.
Thoni 24 orë në ditë që doni Vetting. Shumë mirë! Edhe unë, edhe kolegët e mi jemi pro Vetting-ut, sa më parë! Shqiptarët duan dhe meritojnë drejtësi! Por nuk meritojnë drejtësinë e kapur nga Edi Rama, por atë që ata realisht meritojnë! Ndaj, dua t’i bëj një apel Ramës të mbajë duart larg drejtësisë! Pasi drejtësia e Ramës është e lyer me duart e bandave dhe kriminelëve!
Korrupsioni dhe bandat kriminale janë të këqijat më të mëdha të këtij vendi.
Rama së pari kriminalizoi Parlamentin, dhjetëra deputetë me probleme me drejtësinë shqiptare, por edhe ndërkombëtare.
Kriminalizoi administratën, dhjetëra drejtues u vërtetuan të kishin precedentë penalë e të dënuar.
Kriminalizoi ekonominë me paratë e drogës që mbushi tërë sipërfaqen e vendit.
Më pas krinimalizoi edhe votën duke humbur shpresën e shqiptarëve që vota e tyre do të shkojë e do të lexohet ashtu si duhet.
E përsëris: Shteti i së drejtës është marrë peng, ndaj edhe deklaratat e Ramës tashmë s’i beson më askush, refuzimi për hapjen e negociatave ka vetëm një përgjegjës dhe ai është Edi Rama!

Korrupsioni dhe krimi ka kapluar vendin!

Shëndetësia zë vendin e parë, por për korrupsionin që e ka pushtuar. Ministri i Shëndetësisë zë vendin e parë, por për të korruptuar dhe për figurë të urryer!
Korrupsioni tashmë i përhapur në çdo qelizë në shëndetësi, ka shkatërruar çdo shtyllë të saj, por ajo çfarë është shqetësuese është që po ju mohon qytetarëve atë çka atyre ua siguron Kushtetuta: të drejtën për shërbim shëndetësor.
Po si mund të marrin kurën mijëra pacientët me kancer te onkologjiku kur më shumë se 400 mln euro shkojnë për koncesionet e check up, sterilizimit, dializës e tani laboratorëve? Që 400 mln shkojnë për shoqen Vilma, për shokun Ilir (jo Beqaj), për pronarin e kafenesë në një rrugë të humbur në Berat,e tani për klientin që ju siguroj e ka gjetur prej kohësh Beqaj, sipas përmasave të fitimeve nga ai po qep koncesionin e laboratorëve.
Në media është vënë alarmi: çdo dy ditë vdes një pacient në spital për mungesë të barnave, kurave, dozat e nevojshme. Velcade quhet një kimiopreparat që mban peng dhjetëra të sëmurë në shërbimin e hematologjisë. Mungojnë nga antibiotikët te citostatikët, lista e medikamenteve që mungojnë është e gjatë, ato janë shumë të shtrenjta e nuk mund ta sigurojnë shpeshherë vetë pacientët: endoxan, Mabthera, etj.
Një zotëri, i cili ka 11 vjet spitaleve pasi e shoqja është e sëmurë, thotë që një dozë kushton 2500 euro, ndërkohë gruas së tij i duhen 3 doza. Ai merr vetëm 130 mijë lekë në muaj pension. Si mundet ai t’i sigurojë gruas së tij këtë medikament?
Pyes z. Ahmetaj, a është kjo qeveri solidare? Që Vilma merr 185 mln lekë në muaj pa bërë asnjë analizë, pa bërë asgjë, ndërkohë që një pacient në dy ditë mund të humbë jetën në spital?
“Jemi bërë të thërrasim: ku je Enver! Le të më vrasin, por të më japin të drejtën e 11 vite spitaleve. Çdo dy ditë vdes një pacient, dje vdiq një nga Saranda”, thotë familjari i pacientes të sëmurë me kancer (raporton gazeta “Shëndet+”).
Mendoni pak: diktatura, dhuna e ushtruar, shkelja e të drejtave nga qeveria Rama, është shumë herë më keq se dhuna më e egër e qoftëlargut!
Open data tregon që janë bërë 3 herë blerje nga QSUT për Velcade, por pacientët nuk e marrin atë ose e marrin vetëm ata që njohin ministrin apo pushtetarë, të tjerët thjesht mund t’i luten Zotit që t’i shpëtojë.
Pyes përsëri ministrin e Ekonomisë: a është qeveri solidare kjo? A është sociale? A e mbron të varfërin? A ia merr të pasurit për të ndihmuar të varfërin? Këto janë pyetje retorike gjithkush e di përgjigjen.
Po pse nuk ka barna, kura, terapi për pacientët? Pse nuk investohet në publik? Pse nuk mbështeten mjekët?
Të gjithë tashmë e dimë: Ministri nuk është më përfaqësues i qytetarëve, por është përfaqësues i klaneve e klientëve, 24 orë punon vetëm për ta, për veten dhe shefin e tij në qeveri.
Nuk e di si ndiheni ju kolegë deputetë të mazhorancës, por mua më vjen turp kur dëgjoj ministrin e Shëndetësisë që pa u zverdhur, skuqur, pa ju dridhur qerpiku, të pranojë publikisht e botërisht që ai shoqe Vilmës i jep çdo muaj para për 10000 analiza që ajo s’i bën kurrë, që çdo muaj 185 milionë lekë në muaj ose 2.5 miliardë lekë në vit, (ose 19 milionë USD) të taksave tona, taksapaguesve shqiptarë shkojnë në llogaritë e Vilmës? Ramës? Beqajt? Ndërkohë që pacientët çdo ditë mund të humbasin jetën për mungesë të Velcades apo barnave të tjera?
Sa spitale moderne, qendra shëndetësore mund të ishin ndërtuar me këto fonde? Sa pacientë mund të ishin kuruar apo shpëtuar nëse këto para s’do t’i jepeshin Vilmës apo Ilirit, po të bëheshin barna, pajisje, aparatura në spitale apo QSH?