Shkarkim Dakos, hetim atyre që liruan Lul Berishën

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka përdorur pushtetin dhe zyrën që i kanë besuar qytetarët e Durrësit për të liruar nga burgu një kriminel që ka vrarë dhe ka terrorizuar qytetarët e Durrësit.
Vangjush Dako ka zgjedhur me vetëdije të bëhet njësh me krimin dhe kundër qytetarëve.
Për këtë arsye, këshilltarët dhe deputetët demokratë të Bashkisë së Durrësit kanë vendosur t’i kërkojnë Kryeministrit Rama shkarkimin e menjëhershëm të Vangjush Dakos, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
I kërkoj Prokurorit të Përgjithshëm të fillojë menjëherë hetimet për konspiracion kriminal të kryebashkiakut Dako në favor të krimit.
Kur krimi bashkohet me politikën, vritet liria, shpresa dhe fatet e njerëzve. Shoqëritë ku politikën e dominon krimi janë shoqëritë ku njerëzit vdesin, vuajnë, mbeten injorantë dhe kërkojnë zgjidhjen vetëm në emigrim.
Sikurse e kanë treguar qartë rastet e Lul Berishës, Klement Balilit, Elvis Rroshit, Armando Prengës, Artur Bushit, Tërmet Peçit, etj., njerëzit dhe organizatat kriminale përbëjnë sot një nga shtyllat kryesore mbi të cilën mbahet në këmbë qeverisja e Edi Ramës.
Përditë e më shumë po bëhet e qartë, se Edi Rama ka humbur çdo lloj kontrolli mbi institucionet dhe pushtetin e ligjshëm dhe tashmë është vegël dhe peng i disa prej kriminelëve dhe interesave më të fuqishme kriminale në vend.
Edi Rama i përdori kriminelët për të marrë pushtetin politik, tani kriminelët po e përdorin Edi Ramën për të fuqizuar pushtetin e krimit. Të dy bashkë janë në simbiozë për të grabitur sa më shumë para dhe pushtet nga shqiptarët.
Veprimet që duhet të marrë në ditët e ardhshme do ta tregojnë qartë se çfarë është dhe kë përfaqëson Edi Rama.
Unë ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike të bashkohen për t’i bërë presion Edi Ramës për të marrë përgjegjësitë e vendit, ku është ulur për të luftuar krimin.
Krimi nuk njeh ngjyra, nuk njeh palë politike, vret dhe shkatërron njësoj si demokratët ashtu edhe socialistët.
I bëj thirrje faktorit ndërkombëtar dhe përfaqësuesve të tyre në Tiranë të ushtrojnë gjithashtu të gjithë trysninë që mundet ndaj qeverisë dhe Kryeministrit Rama për ta detyruar atë të marrë veprime të menjëhershme kundër krimit të organizuar dhe për të filluar urgjentisht procesin e dekriminalizimit të politikës. Krimi i organizuar në Shqipëri është sot një rrezik për të gjithë.

Takimi me Llallën

Kreu i Partisë Demokratike ka qenë në Durrës, ku është takuar me strukturat e kësaj partie në qytetin bregdetar.
Menjëherë pas daljes nga mbledhja, Basha ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, lidhur me lirimin e Lul Berishës nga burgu.
Pas kësaj, ai i është drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme ku ka pasur një takim me kreun e këtij institucioni, Llalla.
Basha ka kërkuar nisjen e hetimeve për Vangjush Dakon, të cilin e ka kallëzuar penalisht.

Bylykbashi dorëzon në Kryeministri kërkesën për shkarkim

Partia Demokratike ka kërkuar shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.
Opozita e akuzon si të implikuar në lirimin disa ditë më parë nga burgu të Lul Berishës, i njohur si kreu i bandës së Durrësit.
Kërkesën e dorëzoi në Kryeministri deputeti Oerd Bylykbashi.
Më herët, zoti Basha kishte dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme një kallëzim penal ndaj Vangjush Dakos, për të njëjtin motiv.
Vetë Dako i ka hedhur poshtë akuzat, duke e cilësuar procedurë rutinë ofertën e punësimit për Lul Berishën.

Dako “strehoi” në bashki edhe 30 të dënuar të tjerë

Skandali me Bashkinë e Durrësit, e cila i kërkoi gjykatës që të lirojë kreun e Bandës së Durrësit, Lul Berisha nuk mbaron me kaq.
Ashtu sikurse Bashkia Durrës dilte garant për punësimin e Lul Berishës pranë saj, këtë e ka bërë edhe me të paktën 30 të dënuar të tjerë.
Kështu, Bashkia e Durrësit ka dalë garant se do t’i punësojë pas lirimit nga burgu 30 të dënuarit.
Këto punësime kanë të bëjnë me kryerjen e shërbimit të provës në ndërmarrje të Bashkisë së Durrësit, si Ujësjellës-Kanalizimet, punë publike etj.
Vangjush Dako është vënë në qendër të vëmendjes dhe akuzave nga opozita dhe më gjerë për përfshirjen e tij në lirimin e Lul Berishës, i akuzuar për të paktën 5 vrasje.
Kjo u zbulua ditën e mërkurë nga një investigim i “BIRN” dhe VOA-s.