Prokuroria nis hetimet për lirimin e Lul Berishës

Në Shqipëri, Prokuroria e Durrësit njoftoi dje se ka nisur me iniciativë të sajën, hetimin për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” lidhur me praktikat gjyqësore, gjithashtu edhe për praktikat administrative të ndjekura nga ana e drejtuesve të Bashkisë së Durrësit, në bazë të të cilave është vendosur me lirimin me kusht të të dënuarit Lulzim Berisha.
Prokuroria shpjegon më tej se, “në kuadër të këtij procedimi, po shqyrton ligjshmërinë e vendimeve të dhëna në kohë të ndryshme për të dënuarin Lulzim Berisha nga gjyqtarë të Gjykatës së Durrësit, për përfitim të uljes së dënimit, përfitimit të amnistisë, si dhe ndryshimin e vendit të vuajtjes së dënimit nga burgu i sigurisë së lartë në atë të zakonshëm. Prokuroria e Durrësit ka dyshime të arsyeshme që zyrtarë të caktuar mund të kenë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, me qëllim krijimin e kushteve për pranimin e kërkesës për lirim para kohe me kusht të të dënuarit Lulzim Berisha”.
Më herët gjatë ditës, ishte Partia Demokratike, e cila i kërkoi prokurorit të Përgjithshëm nisjen e hetimeve ndaj kryebashkiakut socialist Vangjush Dako, pas zbulimit të fakteve se Bashkia e Durrësit ofroi garanci për punësimin e ish-kreut të Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, në procesin gjyqësor që çoi në lirimin me kusht të tij 10 ditë më parë. Letra e Bashkisë u bë publike nga “BIRN” dhe “Zëri i Amerikës” dy ditë më parë. Në vendimin e Gjykatës së Apelit shkruhet se, “Bashkia Durrës, duke vlerësuar gjendjen e kësaj familjeje, sjelljen e tyre në komunitet, si dhe mundësinë e lirimit të të dënuarit, garanton punësimin e të dënuarit Lulzim Berisha, në pamundësi për t’u punësuar në ndonjë subjekt privat”.
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, shkoi vetë në zyrën e prokurorit të Përgjithshëm për të dorëzuar kallëzimin penal ndaj Dakos. Në përfundim të një mbledhjeje me këshilltarët demokratë të Bashkisë së Durrësit dhe deputetët e PD në këtë qytet, zoti Basha kërkoi dhe shkarkimin e kryebashkiakut socialist, i cili sipas tij “ka përdorur pushtetin dhe zyrën që i kanë besuar qytetarët e Durrësit për të liruar nga burgu një kriminel që ka vrarë dhe ka terrorizuar qytetarët e Durrësit”, deklaroi zoti Basha, duke shtuar se, “Vangjush Dako ka zgjedhur me vetëdije të bëhet njësh me krimin dhe kundër qytetarëve”.
Nga ana e tij, kreu i Bashkisë së Durrësit dha dje një shpjegim jo bindës për rekomandimin e lëshuar për Lulzim Berishën, duke folur për një procedurë rutinë. “Ne i ofrojmë çdo të dënuari që dënohet me punë vullnetare në komunitet, i ofrojmë mundësi punësimi në ndërmarrjet tona, me punë vullnetare, që do të thotë ata punojnë pa shpërblim nga ana jonë sepse kanë dënim nga gjykata. Nuk jemi ne që vendosim. Gjykata i vendos në mënyrë të detyruar. Kërkesa ishte që familja ka apo jo sjellje të mirë në shoqëri. Ne pyetëm administratorët tanë dhe na thanë që nuk kanë probleme me komunitetin”, u shpreh Dako për gazetarët. Por shpjegimi i zotit Dako nuk përputhet me rastin e Lulzim Berishës. Ai është liruar me kusht dhe jo me detyrim për punë në komunitet, që përgjithësisht jepet për ata që kryejnë vepra penale që nuk paraqesin një rrezikshmëri shoqërore.
Këshilltarët e Partisë Demokratike në Bashkinë e Durrësit, dorëzuan në Kryeministri kërkesën zyrtare për shkarkimin e tij. “Veprimet që duhet të marrë në ditët e ardhshme do ta tregojnë qartë se çfarë është dhe kë përfaqëson Edi Rama. Unë ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike të bashkohen për t’i bërë presion Edi Ramës për të marrë përgjegjësitë e vendit ku është ulur për të luftuar krimin”.
Zoti Basha u përqendrua vetëm të veprimet e kryebashkiakut Dako, ndërsa nuk përmendi një seri vendimesh të debatueshme të dhëna nga disa gjykata të vendit në favor të Lulzim Berishës, të cilat ngrejnë dyshime dhe për shkelje ligjore, që çuan fillimisht në ndryshimin e dënimit nga burg të përjetshëm, në 25 vite burgim dhe më pas reduktime të njëpasnjëshme deri në vendimin e 5 dhjetorit të këtij viti për lirimin e tij me kusht.