Ballina Kryesore Koncesioni, në Tiranë do digjen 800 tonë plehra

Koncesioni, në Tiranë do digjen 800 tonë plehra

Qeveria shqiptare ka gati planet për ndërtimin e një inceneratori të tretë për djegien e plehrave, pasi ka angazhuar deri tani 7.3 miliardë lekë për dy inceneratorë të tjerë në Elbasan dhe Fier.
Qeveria shqiptare miratoi javën e kaluar pranimin e një oferte të pakërkuar për koncesion dhe dhënien e një bonusi prej 8 pikësh për kompaninë “Integrated Energy BV”, Shpk, për “dhënien me koncesion të ndërtimit të landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e venddepozitimeve ekzistuese të Tiranës”.
Sipas një relacioni të Ministrisë së Mjedisit, i cili është publikuar jo në faqen e Ministrisë së Mjedisit, por në faqen e internetit të Ministrisë së Drejtësisë, kompania koncesionare, e cila nuk rezulton të jetë e regjistruar në Shqipëri, por në Holandë, është nën pronësinë e kompanisë shqiptare “Integrated Technology Services shpk” dhe kompanive “Paul Wurth Italia SPA” & “Energy Recuperator SPA”.
Qeveria e miratoi dhënien e bonusit për këtë kompani duke nënkuptuar hapjen e një tenderi, ndërkohë që analiza ekonomike dhe mjedisore e këtij projekti nuk është publike dhe nuk është konsultuar me publikun, duke shkelur Konventën e Aahrusit, të cilën Shqipëria e ka ratifikuar në vitin 2001 dhe që kërkon që çdo projekt me impakt mjedisor të konsultohet paraprakisht me publikun e zonës së ndikuar nga ky projekt.
Relacioni i publikuar nga Ministria e Drejtësisë, i cili është një opinion mbi anën ligjore dhe jo ekonomike apo mjedisore, jep disa të dhëna mbi projektin. Ajo thotë se investimi i planifikuar është 140 milionë euro dhe afati i koncesionit është 30 vjet. Projekti premton mbylljen e venddepozitimit ekzistues të plehrave të Tiranës në Sharrë, ndërtimin e një impianti për djegien e 550-800 tonëve plehra në ditë në fazën fillestare me premtimin për ta shtuar kapacitetin, krijimin e një venddepozitimi të hirit të prodhuar nga djegia me kapacitet 1.8 milionë metra kub dhe një impiant të trajtimit të ujërave të ndotura që do të krijohen nga procesi i përpunimit të plehrave.
Koncesionari argumentohet se do t’i nxjerrë fitimet e tij duke arkëtuar një tarifë për depozitimin e mbetjeve nga bashkitë e qarkut të Tiranës, nga shitja e energjisë elektrike të prodhuar nga djegia e plehrave, si dhe nga rekuperimi i materialeve të riciklueshme.
Qeveria shqiptare ka dhënë më herët edhe dy koncesione të tjera për ndërtim të impianteve të djegieve të plehrave në Elbasan dhe Fier, përmes dy kontratave koncesionare të financuara nga buxheti i shtetit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, inceneratori i Elbasanit do t’i kushtojë taksapaguesve 3.3 miliardë lekë për shtatë vitet e kontratës së koncesionit ndërsa inceneratori i Fierit do t’i kushtojë taksapaguesve 4 miliardë lekë përgjatë gjashtë viteve të kontratës së koncesionit. Inceneratori i Fierit duket se është i lidhur me të njëjtën kompani që ka bërë kërkesën për koncesion për inceneratorin e Tiranës.
Për të dyja projektet, informacioni i ofruar nga autoritetet është minimal dhe konsultimi publik para nënshkrimit të kontratave duket se nuk është kryer. Në Fier, banorët e zonës ku është planifikuar ndërtimi i inceneratorit, si dhe të vetë qytetit të Fierit protestuan ashpër gjatë muajve të fundit duke bllokuar efektivisht ndërtimin e tij.
Ndërtimi i inceneratorëve vjen në një kohë ku në Shqipëri vijon debati i ashpër mbi lejimin apo jo të importimit të mbetjeve në Shqipëri, ku aktivistët kanë shprehur shqetësimin se vendi ynë mund të kthehet në një gropë për plehrat e Europës. Ligji që lejon importin e mbetjeve “për rekuperim” në Shqipëri, ku rekuperimi përfshin edhe shfrytëzimin e përmbajtjes energjetike të mbetjeve përmes incenerimit, u rikthye në Kuvendin e Shqipërisë nga Presidenti Bujar Nishani në tetor dhe ka mbetur i bllokuar në Kuvend për shkak të protestave të shumta të aktivistëve mjedisorë.

Exit mobile version