Dule: Rama, dështim i dështimeve

Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule ka fajësuar kryeministrin Edi Rama, dikur aleat i tij për mosçeljen e negociatave të Shqipërisë me BE për anëtarësimin. Nga foltorja e Parlamentit, Dule deklaroi se sa kohë qeveris Rama nuk do të ketë asgjë pozitive.
“Politikat që po ndjek qeveria, nuk i shërbejnë integrimit. Rama e çoi vendin në dështimin e dështimeve. Ai e çoi vendin në dështimin e prioriteteve. Rama duhet të drejtojë gishtin nga vetja. Rama është përgjegjës para popullit dhe historisë. Vendi do të kishte marrë statusin, ishte gati për negociata. Dështimi për negociatat ka vetëm një emër, Edi Rama”, tha kreu i PBDNJ-së.
Ai u shpreh më tej se, situata në vend është aq e rëndë sa që është e pashmangshme shitja e votës që qytetarët të sigurojnë të ardhmen.
“Dështimi nuk po i çon në reflektim, po në arrogancë. Sa kohë qeveris Rama, nuk mund të presim asgjë pozitive. Rama s’mund të tallet duke thënë ‘jetojmë në parajsë’. Kjo nuk ka se si pranohet, se si kapërdihet dhe se si mund të tolerohet. Po, kemi shumë përgjegjësi ne të gjithë. Të mazhorancës po se po, por edhe të opozitës dhe ne të tjerët që jemi me statusin e të pavarurit. E kemi çuar situatën deri aty sa shitja e votës është e pashmangshme, për shkak të nevojës që ka qytetari për të siguruar të ardhmen e familjes dhe fëmijëve”, tha Dule.