Në “Çatinë e Botës”

Ta mbyllë 2016 në “Çatinë e Botës”. Është ky objektivi i Realit të Madridit, kampion në fuqi i Europës pas triumfit në Champions, kryesues në Spanjë dhe që këtë të enjte zbret në fushë në Yokohama në orën 11:30 me atë shqiptare, kundër meksikanëve të Club America në gjysmëfinalen e Botërorit të Klubeve. Zinedine Zidane është optimist, por e di që kundërshtarët ëndërrojnë një arritje të madhe dhe do të bëjnë gjithçka për të ndalur Kristiano Ronaldon me shokë.
“Të gjithë e dimë rëndësinë e kësaj ndeshjeje, jemi këtu për të fituar, arritëm në Japoni pak të lodhur, por kemi patur kohë për t’u stërvitur dhe ambientuar dhe jemi gati për gjysmëfinalen. U përballëm me një shfaqje afeksioni të pabesueshme nga ana e tifozëve japonezë dhe duam t’i shpërblejmë me një ndeshje të madhe”, u shpreh Zidane.
Zidane që për këtë ndeshje nuk do të ketë njeriun e minutës së fundit, Sergio Ramos, i cili nuk është stërvitur në Japoni për shkak të një problemi muskular siguron që Reali i njeh mirë kundërshtarët, llojin e lojës që aplikojnë, si dhe lojtarët që kanë në dispozicion.
“Duam të bëjmë një ndeshje të madhe. E di që meksikanët thonë se nuk mjafton emri për të fituar. Jam dakord me ta dhe e di që duhet të luftojmë për të arritur finalen, këtë e dimë si unë dhe lojtarët e mi. Për mua shanset për të avancuar janë 50 me 50. Lojtarët meksikanë kanë talent dhe mund të të vënë në vështirësi. Ne nën presion? Atë e kemi gjithmonë, nuk besoj se jemi favoritë dhe as që jemi ne ata që kemi më shumë presion”, tha trajneri i Real Madridit.
Si gjithmonë Zidane beson te Kristiano Ronaldo që do të luajë ndeshjen e tij të parë pasi fitoi për herë të katërt në karrierën e tij të pasur Topin e Artë.
“Ronaldo ka stimuj të jashtëzakonshëm, por ai dëshiron të fitojë dhe miqësoret, madje edhe ato në stërvitje me shokët e skuadrës. Nëse është ai më i miri në historinë e Realit? Askush nuk mund të fitojë ato që ka fituar ai, besoj se nuk është e ekzagjeruar të thuhet se është lojtari më i mirë në historinë e Realit. Ka fituar 4 Topa të Artë, por mund të fitojë edhe të tjerë”, përfundoi Zidane.