Gjysma e Tiranës pa energji elektrike

Prej disa ditësh disa lagje të Tiranës ndodhen pa energji elektrike. Konkretisht, zonat pa energji elektrike janë Lapraka, zona përballë rrugës së Spitalit Ushtarak dhe zona tek Pazari i Ri.
Pas ndërprerjes së energjisë tek Pallati me Shigjeta, dje pati ndërpreje të energjisë edhe në zonën e Kopshtit Botanik në kryeyqtet. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike njofton për kufizime të furnizimit me energji të disa zonave në kryeqytet për shkak të disa investimeve që po kryhen nga OSHEE.
Si rezultat i vendosjes së rrjetit të ri 20 Kv dhe vendosjes së pajisjeve të automatizuara, sot prej orës 06:00 e mëngjesit dhe deri në 10:00 të paradites, energjia elektrike do të mungojë, si masë sigurie për punimet që po kryhen. Ndërkohë edhe gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme në këtë zonë nuk kishte energji elektrike.

Edhe Fieri probleme me energjinë
Banorët e lagjes Mbrostar Ferko në Fier, ngrenë shqetësimin e luhatjes së tensionit të energjisë elektrike. Sipas tyre mbingarkesa 120 volt u ka dëmtuar pajisjet elektroshtëpiake. Problem nga tensioni i ulët kanë edhe fëmijët që u duhet të studiojnë pothuajse në monofazë. “Dobët, sidomos në darkë, kur takojmë dushin rrimë në errësirë. Ka gati 7-8 muaj që është kjo situate”, u shpreh një banor.
Banorët thonë se shkak është amortizimi i rrjetit të energjisë elektrike. Ndërkohë OSHEE në Fier pohon se së shpejti do të ndërhyhet në rrjet dhe do të futet sistemi 20 kilovolt. Lagja Mbrostar Ferko përbëhet nga 3500 banorë dhe ndodhet vetëm 500 metra larg qendrës së qytetit Fier. E kontaktuar, OSHEE në Fier, pohon se së shpejti rrjeti elektrik i kësaj lagje do të futet në sistemin 20 kilovolt.