23-vjeçari nga Berati i jep fund jetës për shkak të varfërisë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në një fshat të Beratit ku një 23-vjeçar i ka dhënë fund jetës për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike. Policia bën me dije se i riu me inicialet J.A është gjetur i vetëvarur pranë banesës së tij nga familjarët në fshatin Lybeshë. Nga hetimet paraprake dyshohet që 23-vjeçari të jetë vetëvrarë për shkak se nuk u bënte dot ballë kushteve të rënda ekonomike.
I riu jetonte në varfëri dhe të vetmin burim të ardhurash kishte punën në pllakat e gurit në malin e Tomorrit. Gjithashtu, dyshohet se i ndjeri vuante edhe nga depresioni dhe kishte një gjendje të rënduar psikologjike për shkak të kushteve të këqia në të cilat jetonte.
Varfëria ekstreme dhe mjerimi që ka pllakosur të gjithë vendin, por sidomos në zonat rurale janë shkaqet kryesore që e ka çuar shoqërinë shqiptare në një depresion shokues. Në fakt kohët e fundit është rritur së tepërmi krimi brenda familjes si dhe vetëvrasjet për shkaqe të rënda ekonomike. Përditë ndodhin vrasje e vetëvrasje, ndërsa qeveria jo vetëm që nuk siguron bukën e gojës, por nuk jep asnjë zgjidhje për njerëzit e pashpresë dhe të dëshpëruar nga mosgjetja e një rruge për të mbijetuar.
Rritja e papunësisë dhe korrupsioni qeveritar ka humbur shpresën tek shqiptarët dhe ka çuar në dëshpërim mijëra vetë. Duke qenë në mjerim dhe në mungesë të një shprese për të mbijetuar, qytetarët ndërmarrin akte barbare përtej njerëzores.
Një grusht njerëzish në pushtet dhe miqtë e tyre pasurohen me korrupsion dhe duke plaçkitur gjithçka nga pasuria shtetërore aq sa nuk dinë ku t’i çojnë paratë, ndërsa populli ropatet në varfëri e mjerim. Askush nuk kujtohet nga qeveritarët për ata familjarë që zgjohen në mëngjes dhe nuk kanë me çfarë t’i ushqejnë fëmijët e tyre. Qeveria kujtohet vetëm t’u presë edhe dritat dhe t’u heqë përkrahjen sociale atyre familjeve që jetojnë në kushte mjeruese.