Kujdes Edvin se mund të shkosh në p.s!

Rama është frikacak edhe kur keqpërdor policinë. Nuk kishte faj. Çonte policë për shoqërimin e Berishës atje ku ai nuk ishte. Berisha ishte në zyrë, Rama ja dërgonte shkresën në adresën e shtëpisë. Më ka çuar nëna me larë gojën, i thonë kësaj. Megjithatë mirë ka bërë sepse Rama e di se ku mund të përfundojë me këto shkelje të ligjit dhe nuk i bëjnë punë as mercenarët e krimit që mban rreth vetes dhe as makina e blinduar.
Një shkresë e Ministrisë së Brendshme për Kryesinë e Kuvendit dhe deputetin Taulant Balla është bërë publike, në të cilën shkruhet se një grup policësh shkuan në shtëpinë e ish-Kryeministrit Berisha. Komisariati nr.1 ka marrë një kërkesë nga Drejtoria e Policisë së Tiranës dhe Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit përmes të cilave u kërkohej të bëhej shoqërimi me forcë i Kryeministrit Berisha për në Kuvend.
Policët nuk kanë gjetur njeri në shtëpi dhe kanë lënë kërkesën në duart e rojes së Gardës. Në fakt Berisha ka qenë në zyrë vetëm pak metra larg shtëpisë dhe policët nuk kanë shkuar atje.
Kërkesa për shoqërim me forcë është konsideruar e paligjshme nga zyrtarët e lartë të PD-së.
“Kjo është shkresa me të cilën Policia e Shtetit tregon se ka pranuar të marrë me forcë një deputet të Kuvendit, në zbatim të urdhrit antikushtetues të lëshuar nga disa deputetë të mazhorancës!
Ndërkohë, neni 73, pika 2 e Kushtetutës parashikon se:
‘2. Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdolloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit’.
Pra, Kushtetuta ndalon shprehimisht që deputetit t’i hiqet liria në çfarëdolloj forme, qoftë edhe në formën e shoqërimit të detyrueshëm.
Eksperiment mizor i Edi Ramës për të provokuar shqiptarët nëse janë nostalgjikë për diktaturën e para 25 viteve!
Vetëm një pjellë e sistemit komunist dhe kulturës së diktaturës mund ta bëjë këtë! Vetë gjyqtar, vetë prokuror, vetë polic, vetë drogën, vetë koncesionet, vetë pasurinë publike, vetë Vetting-un! Gjithçka për vete dhe burgun për kundërshtarët!”, deklaron sekretari për Rendin dhe Sigurinë, Enkelejd Alibeaj.

Arben SHAHINI