Duam të bëhemi si Europa?

Hamit TAKA

E nisëm historinë e re, rilindjen e vërtetë në dhjetorin e vitit 1990, me sloganin “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Ishte një lëvizje sa rinore, sa intelektuale aq edhe popullore, por jo gjithëpërfshirëse, siç ishte në Çekosllovaki, ku gjithë udhëheqja komuniste dha dorëheqjen dhe kërkoi ndjesë publikisht në sheshin qëndror të Pragës, para një mitingu qindramijësh, për rrugën e gabuar në të cilën e kishte drejtuar popullin. Kjo lëvizje, disi amorfe, me pikënisje lirinë dhe të drejtat e njeriut, që konvergoi në ndryshimin e regjimit, e pa të domosdoshme krijimin e një partie, për të organizuar e realizuar objektivat madhore, rrëzimin e regjimit despotik dhe futjen e vendit në shinat e demokracisë drejt Europës, që aspironim. Kjo ishte partia e parë opozitare pas diktaturës së proletariatit, që mori emrin kuptimplotë, Partia Demokratike Shqiptare, e cila u bë truri dhe shpresa e së ardhmes së shqiptarëve, kudo që ndodheshin.
Ajo që do të veçonte çdo shqiptar mendjeçelur si arritja e parë madhore e Partisë Demokratike, ishte vrasja e frikës që na kishte futur komunizmi në bark dhe dalja e gazetës së parë opozitare, Rilindja Demokratike, si pishtar i fjalës së lirë, e cila ishte kërcënuar e vrarë nëpër burgje politike e plumba kokës. PD hapi rrugën e krijimit të partive të tjera opozitare, si dhe partizave e partiçkave “opozitare”. PD imponoi edhe makiazhimin e Partisë së Punës si parti liberale, e cila, posa ndërroi emrin, u hodh në sulm me propagandën mashtruese e dhunuese, po aq me zhargonin e vjetër, duke e quajtur parti fashiste, parti e borgjezisë dhe bejlerëve, e shitur te kapitalizmi e lloj-lloj etiketimesh. Koha tregoi se PD ishte partia që do ta çonte Shqipërinë drejt progresit, duke e bërë pjesë të shumicës së strukturave euroatlantike politike, ushtarake dhe ekonomike. Brenda një katërvjeçari ajo e bëri Shqipërinë pjesë integrale dhe inkadeshente të Europës.
Sot, kushdo që ka qenë pjesëmarrës në atë lëvizje të madhe intelektuale, studentore, rinore, punëtore, mbarëpopullore, krenohet me identitetin e vet në atë polifoni zërash e polifoto të madhe historike. Edhe ndonjë që ka parë nga ballkoni i pallatit apo nga dritarja e ndonjë lokali protestat studentore, grevën e urisë, rrëzimin e monumentit të diktatorit, gjen rastin për të nxjerrë diku kokën, në ndonjë ekran, në ndonjë faqe gazete apo para mikrofonit të ndonjë radioje, për të thënë: kur isha unë… Më e çuditshme është mania e ndonjërit nga këta, që kërkon me ngulm statusin e protagonistit dhe panteonin e historisë.
Sot nuk shtrohet më ideja “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Sot, shtrohet problemi ta bëjmë Shqipërinë si Europa. Vërtetë “e para erdhi fjala”, por më pas vijnë bëmat. Pra është koha e materializimit të ideve në vepra konkrete e jo e rënie së gjoksit. Dhe nëse duam të bëhemi si Evropa, le të mësojmë së pari prej tyre, pastaj ta bëjmë. Jo se nuk kemi mësuar asgjë e nuk kemi bërë mjaft. Bile në një periudhë jo fatlume, por në kohën e krizës globale.Nuk është nevoja të tregojmë e të numërojmë. I di edhe më naivi, i di edhe më pesimisti, i di edhe më fanatiku, i di edhe më nostalgjiku i diktaturës. E di secili kush ka bërë më shumë e kush më pak. Kush ka ecur përpara e kush ka bllokuar. Kush ka ndjekur kurbën e përparimit e zhvillimit dhe kush ka parë greminën. Kush ka bërë punën e kush i bie gjoksit. Problemi është te egoja, te protagonizmi, te panteoni i lavdisë personale, ndërsa duhet të jetë te lavdia e Shqipërisë, te e mira e shqiptarëve.
Demokracia, mbi të gjitha është shteti ligjor, ajo ka ligje detyrimisht të zbatueshme. Nëpërkëmbja e një ligji të vetëm është hapi i parë drejt diktaturës. Demokracia avancon me politika largpamëse, me programe vizionare dhe projekte zhvillimi në kahun e mirëqënies materiale dhe shpirtërore të popullit. Jo me propaganda mashtruese, manipuluese e dhunuese. Por demokracia ka edhe standarde kulturore dhe etike, që realizojnë harmonizimin e marrëdhënieve sociale, lejojnë diversitetin dhe unifikimin e vlerave kombëtare. Gjejmë sa e sa shembuj që flasin për standarde ndryshe në një vend demokratik me standardin tonë në startin demokratik.
Një nga standardet që u bie në sy europianëve dhe gjithë shqiptarëve, sidomos emigrantëve, që jetojnë në këto vende demokratike, është kontrasti midis kapadaillëkut të qeveritarëve e pushtetarëve tanë dhe thjeshtësisë së politikanëve, qeveritarëve dhe pushtetarëve të atyre vendeve. Kapadaillëku dhe pompoziteti i mjaft prej politikanëve, qeveritarëve dhe pushtetarëve tanë, sidomos në vizitat jashtë vendit, në takimet me të huajt, në shfaqjet mediatike apo në përvjetorët solemne të vendit e deri në jetën e përditshme është i dukshëm dhe në kontrast të thellë me thjeshtësinë e lidershipit në vendet perëndimore, por edhe më shumë me thjeshtësinë dhe varfërinë e shqiptarëve të zakonshëm. Kultura dhe etika është promovimi i parë i personaliteteve qeveritare. Jo rrallë kjo kulturë dhe etikë stonon me atë që duhet dhe lë përshtypje të keqe tek opinioni ynë dhe ai i huaj.
Gjuha e Ezopit në ligjërimin politik (sa mirë do të ishte me kaq), me fyerje vulgare dhe etiketime të opozitës apo zërave të shoqërisë civile, që bien ndesh me sjelljet dhe bëmat e pozitës, si: “injorant”, “agjent i Shqup-it,” “keqdashës,” “fodull,” “baltaxhi”, apo një sërë etiketimesh të tjera përçmuese, nuk krijon akses tek njerëzit normalë, përkundrazi i distancon prej tyre. Fyerja e opozitës çdo ditë, mburrja me togfjalëshin “për herë të parë” u bë kjo apo u realizua ajo, sikur në 2013 ne vinim nga kuota zero, siç bënte Enver Hoxha me mbretin Zog, krijon ilaritet e nervozizëm tek përkrahësit dhe kundërshtarët e qeverisë. Sot mund të themi pa rezerva se kemi një degjenerim total të shoqërisë, që nga semaforët e Europës, motelet e kapove vendali, droga e krimi në rrugë e brenda familjes dhe deri te më tragjikja, largimi i brezit të ri nga sytë këmbët. Opozita në çdo vend të botës është monitorizuesja e qeverive për realizimin e programit qeverisës.
Nuk e di se deri ku arrin perversiteti mediatik proqeveritar, sepse egërsia deri në kanibalizëm, realisht kanibalizëm, delinkuenca, mashtrimi, mohimi i vlerave, ka një masë të matur tanimë dhe të dokumentuar në kurriz të opozitës dhe të një populli që s’mundet të jetojë lirinë e vet në kuptimin “ të flerë i qetë dhe i ngopur në shtëpinë e vet”. Mjeshtrat e baltatriçes janë në punë e sipër me mediat elektronike, gazeta, faqe interneti, portale e gjymyrë të tjerë të fshehura mes fjalëve të përroit të tyre psiqik, sa do t’u vinte turp edhe mediave në vendet diktatoriale afrikane apo latinoamerikane, siç do t’u vinte turp nga harta e bujqësisë me drogë në të gjithë vendin. Dikush më thoshte një ditë: “Një gjë është e sigurtë, Perëndia gjithmonë e ka gjetur ilaçin”. Iu përgjigja me qetësi: Ilaçin do ta gjejmë vetë ne shqiptarët.