Pesë kompani, energji nga era në Devoll

Pesë kompani shqiptare janë bashkuar në një konsorcium për të ndërtuar një park fotovoltaik ku do të prodhohet energji nga era në zonën e Devollit, përkatësisht në fushën e Maliqit.
Kompanitë “GAMMA SOLAR”, “ALFA ENERGY”, “BETA ENERGY”, “DELTA SOLAR” dhe “SOLARIS” kanë shprehur interesin dhe kanë paraqitur aplikimin në Ministrinë e Industrisë dhe Energjetikës për ndërtimin e parkut të energjisë me erë që pritet të prodhojë 50 MW energji elektrike.
Këto lloj investimesh që nuk janë koncesionare kalojnë një procedurë miratimi të veçantë që rregullohet me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave.
Dy kërkesa të ngjashme janë bërë më herët këtë vit për ndërtimin e parqeve energjetike në Vlorë dhe në Himarë.
Përpjekjet e mëparshme për të investuar në ndërtimin e burimeve të reja energjetike nga era kanë dështuar për shkak të kontestimeve që ato kanë pasur për ndikimin në mjedis.
Në vitin 2011, Moncada ishte një tjetër projekt në fushën e energjisë së rinovueshme, nga era, i cili ka mbetur vetëm në letër. I projektuar për të qenë si shoqëria më e madhe e prodhimit të energjisë nga era në Europë, projekti synoi ndërtimin e centraleve të erës në Karaburun dhe në Llogora, me një vlerë gati 800 milionë euro investime. Gjithashtu në projekt ishte parashikuar edhe ndërtimi i linjës së transmetimit të energjisë në Itali. Ndikimi në mjedis dhe mungesa e mjeteve financiare kanë qenë faktorët kryesorë që çuan projektin drejt shuarjes.
Por teksa Ministria e Energjetikës ka futur në proces aplikimin e tretë për ndërtimin e kapaciteteve të prodhimit të energjisë nga era nuk ka finalizuar ende asnjë nga këto investime.