Një adoleshent rekordmen çon Liverpulin në gjysmëfinale

Liverpuli ka arritur në gjysmëfinalen e Kupës së Ligës duke mundur me rezultatin 2-0 Lidsin në “Anfilld” në një ndeshje ku u regjistrua një rekord i veçantë. Takimi filloi me një minutë heshtje për të nderuar viktimat e tragjedisë ajrore në Kolumbi, nddërsa më pas Liverpuli dominoi ndeshjen ndaj skuadrës së Championship, por vuajti shumë për të gjetur rrugën e rrjetës, pasi Klop kishte hedhur në fushën e lojës shumë lojtarë të skuadrës së dytë.
Goli i avantazhit erdhi me Origin në minutën e 76-të, ndërsa 5 minuta më vonë, ishte djaloshi Ben Udbërn që realizoi golin e rezultatin 2-0 për të kaluar ekipin e tij në fazën tjetër të turneut. Udbërn, i aktivizuar në minutën e 67 nga Klop, u bë rekordmeni i ri i kësaj skuadre. Në moshën 17 vjeç e 45 ditë, ai është zyrtarisht futbollisti më i ri që ka shënuar gol në ndeshje zyrtare me fanellën e këtij klubi legjendar.
Në gjysmëfinale kaloi edhe Hall Siti që mundi me penallti Njukasëllin e Rafel Benitez. Koha e rregullt përfundoi 0-0 ndërsa në shtesa, të dy skuadrat shënuan nga një herë, ndaj u desh gjuajtja nga pika e bardhë për të përcaktuar se kush kalonte në turin tjetër. Në fund buzëqeshi Hall Siti, pasi Njukasëlll gaboi 3 nga 4 tentativat e veta.