Liverpuli fiton, por humb Kutinjon

Liverpuli vazhdon të marshojë në majat e klasifikimit të kampionatit anglez të futbollit, por skuadra e drejtuar nga Jurgen Klop, sot ka marrë një goditje të rëndë gjatë fitores 2-0 ndaj Sandërlendit. Mesfushori Filip Kutinjo, një nga lojtarët më në formë të kësaj skuadre, u largua nga fusha e lojës i dëmtuar, pas një përplasje ku u duk sikur ai kishte pësuar një ndrydhje të keqe.
Ndërkaq, Leisteri ka barazuar ndaj Midëllsbrout me rezultatin 2-2 vetëm falë dy penalltive të Mahrez e Slimanit, kjo e dyta në shtesën e ndeshjes. Skuadra e Ranierit, edhe pse në Ligën e Kampioneve po paraqitet mirë dhe ka siguruar kualifikimin mes 16 më të mirëve, në kampionat vuan shumë dhe rrezikon seriozisht kualifikimin. Ndeshja më e çmendur e ditës ka qenë ajo mes Suonsit dhe Kristal Palas e mbyllur me rezultatin 5-4, ku kishte disa përmbysje të njëpasnjëshme, ndërsa në fund u deshën dy gola në shtesë të Jorentes për t’i dhënë suksesin vendasve.
Mançester Siti nuk gabon në garën për titull. Në sfidën hapëse të javës së 13-të të Premier Ligës, skuadra e Pep Guardiolës fitoi 2-1 në fushën e Bërnleit.
“Qytetarëve” iu desh të djersinin për të arritur te tri pikët, pasi vendasit kaluan të parët në epërsi me Golin e Marneit në minutën e 14-të. Megjithatë miqtë nga Mançesteri rikthyen barazpeshën me Agueron para pushimit (37’) dhe gjetën golin e suksesit po me sulmuesin argjentinas në minutën e 60-të. Me këtë fitore, Siti ngjitet përkohësisht në krye të renditjes me 30 pikë, në pritje të rezultateve që do të arrijnë rivalët.