Zyrtare, Itali-Shqipëri luhet në Palermo

Itali-Shqipëri do të luhet në Palermo. Ashtu siç ishte paralajmëruar pak javë më parë, sfida e 24 marsit të 2017 mes Italisë dhe Shqipërisë do të luhet në stadiumin “Renzo Barbera”, ku zhvillon ndeshjet e saj skuadra e Palermos. Federata Italiane e Futbollit ka vendosur që të këtë sfidë, e pesta në radhë sa i përket eliminatoreve të Botërorit, Rusi 2018 ta luajë në Siçili. Për këtë vendim mendohet se ka ndikuar dhe miqësorja e 18 nëntorit të vitit 2014, ku në ndeshjen miqësore të luajtur në “Luigi Ferraris” të Gjenovës ishin të pranishëm më shumë tifozë kuqezi sesa italianë dhe Federata vendase kërkon të minimizojë në maksimum praninë e tifozerisë shqiptare në impiant, duke qenë se shqiptarët që jetojnë në vendin fqinj janë të shumtë.
Kjo do të jetë ndeshja e 13 që Italia do të luajë në këtë impiant teksa ka një bilanc pozitiv me 11 fitore, 1 barazim dhe vetëm 1 humbje me Kroacinë në nëntor të vitit 1994. E vetmja sfidë mes Shqipërisë dhe Italisë është miqësorja e 18 nëntorit të 2 viteve më parë, me Italinë që triumfoi 1-0 në atë sfidë falë golit të shënuar nga Stefano Okaka. Aktualisht, Italia është bashkë kryesuese e Grupit G bashkë me Spanjën me 10 pikë, ndërsa Shqipëria renditet e katërta me 6 pikë në total.