Zbulohet një nga trafikantët edrogës të lidhur me talebanët

Zbulohet dhe arrestohet një nga trafikantët e lidhur me talebanët për trafikun e drogës. Mediat italiane raportuan dje se një shqiptar, ndër më të kërkuarit në Itali u arrestua në Korneuburg, në veri të Vjenës nga policia austriake, ndërsa ishte vetëm në një makinë. Ai konsiderohet si një nga trafikantët më të rrezikshëm të drogës dhe bashkëpunonte me talebanët për trafikun e saj, jo vetëm në Itali, por në disa vende europiane. Prej më shumë se 10 vjetësh, shqiptari Blenard Fejzullai, 40 vjeç, ka jetuar në arrati.
Organizata kriminale e tij u shkatërrua në vitet 2000-2001. Ai është dënuar nga drejtësia italiane me 12 vite burg për trafik ndërkombëtar të drogës, në bazë të një vendimi të lëshuar në vitin 2006.
Mediat italiane shkruajnë se, shumicën e viteve në arrati, shqiptari i ka kaluar në vendlindjen e tij në qytetin e Fierit, ndërsa ka kryer disa “vizita” në Itali dhe në Evropën Qendrore. Mediat italiane shkruajnë se gjatë kësaj periudhe, ai ka bërë një jetë të mirë për shkak të parave të fituara nga trafiku i heroinës. Ai ka ndryshuar vazhdimisht telefonat celularë, por edhe makinat.
Sipas mediave italiane, Fejzullai ka ndryshuar vazhdimisht edhe profilet e tij në rrjetet sociale. Në mars të këtij viti, organet e hetimit në Itali kanë zbuluar identitetin e Fejzullahut, duke kontrolluar lëvizjet e tij, derisa u arrestua më 22 nëntor 2016 nga policia austriake.
Hetimet kanë zbuluar trafikun në sasi të mëdha të heroinës nga Afganistani, i lidhur gjithashtu me talëbanët personalisht, duke marrë dhe ruajtur drogën në Shqipëri dhe në vende të tjera europiane përfshirë edhe Italinë. Jo vetëm heroina, por organizata kriminale ishte marrë edhe me shitjen e të ashtuquajturës kokainë rozë nga Bolivia e konsideruar me cilësi shumë të lartë dhe më e shtrenjta në tregun me pakicë. Hetimet kanë zbuluar se banda komunikonte me email, por nuk i dërgonin email-et, duke i lënë mesazhet “draft”, çka më pas hapeshin nga persona të tjerë të grupit, duke ditur fjalëkalimin.
Ish-Kryeministri Berisha deklaroi para pak kohësh në Kuvend se, rrjeti famëkeq terrorist ISIS ka lidhje me parcelat e drogës në Shqipëri. Berisha tha se, kanabizimi shumë shpejt mund të shihet si minerë ari nga militantët e Shtetit Islamik. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha paralajmëroi se, nëse nuk ndërhyhet nga NATO dhe BE vendi shumë shpejt mund të shihet si minerë ari nga militantët e Shtetit Islamik. “I bëj thirrje NATO-s me urgjencë të marrë në analizë drogën në Shqipëri. Ky vend në rast se nuk ndërhyhet në këtë situatë, ju garantoj se shumë shpejt do të jetë një financues i madh i terrorizmit ndërkombëtrar, i ISIS në radhë të parë”, deklaroi Berisha në Kuvend. Ish-Kryeministri Berisha tha se, aerodrome si ai i Ishmit po ndërtohen dhe në zona të tjera për trafik droge dhe armësh.

Berisha paralajmëroi: ISIS tek droga në Shqipëri

Ish-Kryeministri Berisha paralajmëroi në Kuvend më 22 shtator se, siguria kombëtare është në rrezik nga kanabizimi i vendit ndërsa i bëri thirrje NATO-s si dhe Bashkimit Evropian të ndërhyjnë në mënyrë urgjente, pasi rrjeti famëkeq terrorist ISIS ka lidhje me parcelat e drogës në Shqipëri. “Sot unë dua të jap alarmin, të shpreh shqetësimin tim më të madh për dramën në të cilën është zhytur Shqipëria. Sot, siguria kombëtare është më e kërcënuar se kurrë në historinë e këtij vendi nga kohërat e luftërave e deri tani. Shqipëria është shndërruar në Kolumbinë e dikurshme, jo të sotme të Europës. Kanabisi, arat e deputetëve, politikanëve dhe ministrave, kanë mbuluar vendin nga Pogoni deri në Vermosh. Asgjë nuk kërcënon më shumë sigurinë e këtij vendi sesa kanabisi. Pra, edhe një herë jap alarmin se kjo situatë është më kërcënuesja për sigurinë kombëtare dhe unë, i them shqiptarëve, i them Aleancës së Atlantikut të Veriut, Bashkimit Europian, se në Shqipëri ISIS do të ketë minierat e floririt në kanabisin e kriminelëve shqiptarë, e bandave shqiptare”, u shpreh Berisha.
Ish-Kryeministri i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar se, Shqipëria po shndërrohet në një vend që po financon shtetin islamik. “I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar ta marrë këtë në mënyrën më serioze, të mos injorojë këtë fakt. Zotërinj, a e lexuat shtypin italian se çfarë shkruante? Shkruante se aeroporti i Ishmit ishte për transport armësh. Kambanat bien për të gjallët jo për të vdekurit, këto kambana bien për Shqipërinë. Keni kaluar nga mushkonjat nëpër aeroporte në mushkonja për trafiqe kriminale, qoftë kanabis, qoftë kokainë, qoftë armë. Edhe një herë u them se kurrë s’ka qenë më e kërcënuar siguria kombëtare e këtij vendi, se një vend anëtar i NATO-s s’mund të bëhet kurrë kërcënim për aleatët e vet me kanabisin. Kemi detyrime të mëdha ndaj shqiptarëve dhe aleatëve tanë, sepse në dhjetëra miliardë, dora e zezë e ISIS s’ka asnjë pengesë që të shtrihet. Dhe pastaj çfarë do të thoni ju aleatë të NATO-s, që financoni shtetin më të kobshëm të kohërave, aktet më terroriste, çfarë do të thoni ju që ngritët një sistem aeroportesh për të transportuar armë, para, drogë e çdo gjë? A nisi kjo me mushkonjat dhe përfundoi me aeroportin e Ishmit, aeroportin “Saje qorri”? A e dini ju që po ndërtohen aeroporte të tjera apo jo? Ja u them unë që po. Po ndërtohen aeroporte të tjera për trafiqe kriminale. Çfarë shteti jemi ne që eksportojmë vdekje për aleatët tanë. Dalin këtu në mënyrën më të neveritshme e shpifëse dhe flasin se paska patur dhe më parë. Po, kishte, por kishte një luftë dhe kjo luftë bëhej. Pyesni autoritetet italiane, pas moratoriumit të skafeve dhe luftës ndaj trafiqeve, Italia hoqi kontrollin e hapësirës ujore në Shqipëri. Por ju besoni gënjeshtrat tuaja, sepse ju nuk fluturoni me presh mbrapa, ju fluturoni me para mbrapa”, tha Berisha.